Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dërguar letërporosi plotësuese në Itali për të verifikuar nëse doktorata e Avni Pukës është mbrojtur në Universitetin “La Sapienza” dhe si është zhvilluar procesi i saj. Rasti ka marrë kthesë pas përjashtimit të prokurorit të mëparshëm dhe caktimit, përmes sistemit me algoritëm, të një prokurori të ri, i cili ka kërkuar verifikime shtesë nga autoritetet italiane. Prokuroria ka bërë të ditur se, pas pranimit dhe vlerësimit të përgjigjeve nga Italia, nuk e përjashton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme hetimore, përfshirë edhe hetimin financiar mbi përfitimet e pretenduara nga avancimi akademik i Pukës
Visar Duriqi
Dyshimet e ngritura nga ish-Rektori i UP-së, Enver Hasani mbi doktoratën e Dekanit të Fakultetit Juridik, Avni Puka, kanë hyrë në një fazë të re dhe kritike hetimore.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për gazetën Insajderi se i ka dërguar autoriteteve të drejtësisë në Itali një letërporosi plotësuese, me qëllim verifikimin e drejtpërdrejtë se si është marrë ajo diplomë dhe nëse ka pasur fare proces mbrojtjeje të tezes në Universitetin “La Sapienza” në Romë.
Paralelisht me këtë kërkesë ndërkombëtare, organet e ndjekjes kanë bërë të ditur se prokurori i ri që ka marrë lëndën nuk ka përjashtuar as mundësinë e hetimi financiar, për të llogaritur dobinë pasurore që Puka pretendohet se ka realizuar nga buxheti i shtetit përmes avancimit akademik me dokumente të kontestuara.
Në anën tjetër, i kontaktuar nga redaksia para publikimit të këtij hulumtimi, dekani Avni Puka ka zgjedhur të mos i përgjigjet asnjë pyetjeje, duke zgjedhur heshtjen.
Përjashtimi i prokurorit dhe caktimi i ri me algoritëm
Rihapja e plotë e kësaj dosjeje vjen pas zhvillimeve procedurale të datës 22 korrik 2026. Zëvendëskryeprokurori Arianit Salihu mori vendim zyrtar për përjashtimin e prokurorit të mëparshëm të rastit, Nazmi Krasniqi, nga trajtimi i lëndës pas ankesave të denoncuesit, Prof. Dr. Enver Hasani, për njëanshmëri dhe mbyllje të ngutshme të hetimeve.
Në përgjigjen kthyer Insajderit, Zyra për Komunikim Publik pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar kështu këtë kthesë.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se me vendimin e datës 22.07.2026, është miratuar kërkesa e E.H., me ç’rast është përjashtuar Prokurori i Shtetit N.K., dhe nëpërmjet sistemit të caktimit me algoritëm, për trajtimin e mëtejmë të çështjes është caktuar Prokurori i Shtetit A.M.”
Verifikimi në Romë | Letërporosia përmes Ministrisë së Drejtësisë
Fill pas marrjes së dosjes, prokurori i ri i ka hyrë verifikimit të pretendimeve që ndërlidhen me autoritetet italiane, përmes rrugëve zyrtare diplomatike e juridike.
Prokuroria Themelore i ka konfirmuar Insajderit adresimin e kërkesës në Itali.
“Pas caktimit, Prokurori i Shtetit përmes Ministrisë së Drejtësisë (MD), përkatësisht Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, ka adresuar letërporosi, si kërkesë plotësuese tek autoritetet kompetente të Republikës së Italisë, me qëllim të verifikimit të informacioneve që ndërlidhen me tezën e disertacionit të doktoratës së A.P., përkatësisht me procesin e mbrojtjes së kësaj teze, si dhe çështje të tjera relevante që ndëlidhen me këtë rast”, thuhet në përgjigjen dhënë Insajderit.
Kjo kërkesë vjen pasi, sipas dokumenteve që denoncuesi ka deponuar në Prokurori si material shtesë, në dosje është përfshirë korrespondenca zyrtare me Bibliotekën Kombëtare Qendrore në Romë (BNC-RM) — institucioni ku sipas ligjit italian duhet të depozitohet secila tezë doktorature. Në atë përgjigje konfirmohet se teza e pretenduar nga Puka me titull “Aspetti comparativi tra la legislazione italiana e quella del Kosovo…” nuk figuron e regjistruar apo e arkivuar në depot e tyre. Po ashtu, në shkresat e dorëzuara nga denoncuesi tregohet se në dokumentet zyrtare të Ciklit 28 të doktoraturës në “La Sapienza” nuk figuron asnjë procesverbal i mbrojtjes publike apo komision vlerësues për të.
Hetimi i mundshëm financiar: Sa para u inkasuan nga avancimi akademik?
Përveç verifikimit të vërtetësisë së diplomës, Prokuroria ka bërë me dije se fokusi i hetimeve mund do të shtrihet te përfitimi material e financiar i Dekanit Puka në Universitetin e Prishtinës.
“Sa i përket çështjeve të tjera, ju njoftojmë se pas pranimit të përgjigjeve nga autoritetet kompetente Italiane dhe vleresimit të tyre, Prokurori i Shtetit do t’i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me kometencat dhe afatet e përcaktuara me legjislacionin përkatës në fuqi, përfshirë, por pa u kufizuar, edhe në hetimin financiar”, thuhet tutje në përgjigjen e Prokurorisë dhënë Insajderit.
Hetimi i mundshëm financiar ndërlidhet me faktin se në konkursin e vitit 2022 për marrjen e thirrjes “Profesor i Asociuar”, Komisioni Vlerësues ka përfshirë në raportin vlerësues edhe diplomën e pretenduar nga Roma. Mbi bazën e këtij avancimi, Puka ka realizuar rritje page, shtesa akademike dhe benefite financiare prej vitesh nga buxheti i UP-së.
Anashkalimi i Agjencisë NARIK dhe ndryshimet në CV
Hulumtimi i Insajderit zbardh gjithashtu ngre dyshime për shkelje procedurale brenda UP-së lidhur me procesin e njohjes së kësaj diplome të huaj.
Titulli i pretenduar nga Universiteti “La Sapienza” është përdorur për ngritje akademike pa iu nënshtruar asnjëherë procedurës obligative të nostrifikimit pranë Agjencisë NARIK (MASHTI) — proces ky që kërkon detyrimisht dorëzimin e transkriptit të notave, certifikatës së provimeve dhe tezes origjinale.
Në dhjetor 2016, kur kishte marrë thirrjen “Profesor Asistent” (Raporti nr. prot. 05/1550), Puka kishte deklaruar vetëm doktoraturën e mbrojtur në UP nën mentorimin e Prof. Bajram Ukës.
Titullin nga Italia nuk e kishte përmendur fare, për ta shpërfaqur tek në shtator të vitit 2017 përmes një komunikimi me kolegjiumin e fakultetit.
Përveç dosjes së doktoratës, Dekani Avni Puka ndodhet nën hetim edhe për një tjetër rast penal. Prokuroria e Apelit ka miratuar ankesën e Prof. Enver Hasanit, duke e kthyer për të dytën herë rresht në Prokurorinë Themelore kallëzimin penal ndaj Pukës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Rasti ndërlidhet me ekzekutimin e pagave nga Dekanati në llogarinë e Hasanit gjatë periudhës kur ky i fundit ndodhej jashtë vendit për trajtim mjekësor — veprim ky që sipas Hasanit është bërë me dashje për të krijuar përshtypjen e rreme se ai po merrte pagë pa qenë prezent në punë.
Insajderi i ka përcjellë kërkesë zyrtare për koment Dekanit Avni Puka, dhe më vonë e ka mbajtur të informuar edhe Rektoratin e UP-së, duke i parashtruar pyetje konkrete lidhur me mospasjen e vendimit të nostrifikimit nga Agjencia NARIK, mungesën e tezes në arkivat e Romës, si dhe për vendimet e fundit të Prokurorisë për letërporosinë e re dhe hetimin financiar.
Deri në momentin e botimit të këtij hulumtimi, Puka nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës, duke mos ofruar asnjë sqarim për publikun/ Gazeta Insajderi