Insajderi
Insporti

Flick zbulon kapitenin e përkohshëm të Barcelonës dhe flet për sezonin e ri

Insajderi
18 August 2026 - 15:41
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Flick zbulon kapitenin e përkohshëm të Barcelonës dhe flet për sezonin e ri
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka konfirmuar se Raphinha do ta mbajë shiritin e kapitenit në ndeshjen ndaj Al Ahlyt të Egjiptit, e cila do të zhvillohet të mërkurën në kuadër të Trofeut Joan Gamper.

Braziliani do të jetë pjesë e grupit të kapitenëve së bashku me Pedrin dhe Eric Garcian, ndërsa Barcelona do ta zhvillojë votimin përfundimtar për kapitenin pasi të kompletohet lista e skuadrës për sezonin e ri.

Flick ka sqaruar se vendimi aktual për kapitenët është i përkohshëm, pasi skuadra ende nuk është kompletuar. Frenkie de Jong është gjithashtu një nga kapitenët, por aktualisht është i dëmtuar.

“Raphinha do ta mbajë fjalimin. De Jong është kapiteni i tretë, pasi Marc dhe Araujo nuk janë të pranishëm. Por Frenkie aktualisht nuk është i gatshëm dhe unë kam vendosur përkohësisht për kapitenët derisa ta zhvillojmë votimin, sepse lista e skuadrës nuk është ende e kompletuar”, ka deklaruar Flick për “Barça TV”, përcjell “Gazeta Express”.

Ai ka theksuar se mund të ketë edhe ardhje e largime nga skuadra, prandaj votimi do të bëhet vetëm pasi lista të jetë e plotë.

“Mendoj se do të vijnë edhe lojtarë të tjerë dhe njëri prej lojtarëve mund të largohet. Prandaj, nuk do ta zhvillojmë votimin përpara se lista e skuadrës të jetë e plotë. Deri atëherë, Raphinha do të jetë kapiten së bashku me Ericun dhe Pedrin. Edhe De Jong, por ai është i dëmtuar”, tha ai.

Flick foli edhe për marrëdhënien e tij me De Jongun, duke i hedhur poshtë spekulimet rreth të ardhmes së mesfushorit holandez.

“Ky është vendimi që e kam marrë dhe marrëdhënia ime me De Jong është shumë e mirë. Ai është një lojtar jashtëzakonisht profesionist dhe marrëdhënia jonë është e shkëlqyer”, u shpreh gjermani.

“Flas shumë me të për ndeshjen e ardhshme dhe për gjëra të tjera që ndodhin rreth skuadrës. Ai është një lojtar i rëndësishëm, ka shumë cilësi dhe jep shumë”, shtoi Flick.

Sa i përket përgatitjeve për sezonin e ri, trajneri i Barcelonës tha se kjo fazë ka qenë më ndryshe nga përgatitjet e zakonshme, pasi tetë lojtarë iu janë bashkuar ekipit vetëm një javë më parë.

“Mendoj se kjo fazë përgatitore nuk është si fazat e zakonshme përgatitore. Tetë lojtarë iu bashkuan stërvitjeve vetëm një javë më parë. Duhet të përshtatemi dhe t’i menaxhojmë gjërat. Nga ajo që kam parë gjatë ditëve të fundit, niveli i cilësisë është rritur shumë. Jam shumë i lumtur me atë që e kam parë në stërvitje. E kemi një skuadër të madhe dhe jemi gati të luftojmë për gjithçka”, deklaroi Flick.

Për Flickun, ndeshja ndaj Al Ahlyt ka rëndësi të veçantë pasi do të jetë ndeshja e parë e sezonit në stadiumin e Barcelonës, Spotify Camp Nou, me praninë e tifozëve.

“Për mua gjithashtu, kjo është një ndeshje e jashtëzakonshme, sepse është e para e sezonit në stadiumin tonë, Spotify Camp Nou, me tifozët të pranishëm”, tha ai.

“Sezonin e kaluar i fituam të gjitha ndeshjet në shtëpi dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për fitimin e titullit të La Ligës. Mbështetja e tifozëve të Barcelonës ishte fantastike. Na duhet pasioni, energjia dhe mbështetja e tyre”, përfundoi Flick.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark