Pas rikthimit në Ligën e Kampionëve, pasi e përfundoi sezonin 2025/26 të Premierligës në vendin e tretë, Manchester United po vazhdon ndërtimin e skuadrës në përputhje me ambiciet e reja.
Drejtuesit e “Djajve të Kuq” kanë konfirmuar besimin te trajneri Michael Carrick dhe kanë vendosur ta përforcojnë veçanërisht mesfushën, e cila tashmë është pasuruar me afrimet e Andrey Santos dhe Youri Tielemans.
Për brazilianin e Chelseat, United investoi 56 milionë euro, ndërsa për mesfushorin belg pagoi 41 milionë euro te Aston Villa.
Megjithatë, duket se “Djajtë e Kuq” nuk e kanë mbyllur ende merkaton në repartin e mesfushës.
Sipas mediumit britanik “The Athletic”, Manchester United është në negociata të avancuara me Brightonin për Carlos Balebën. Mesfushori kamerunas, i lindur në vitin 2004, është shndërruar në një nga profilet më interesante të Premierligës, përcjell “Gazeta Express”.
United ka paraqitur një ofertë fillestare prej 70 milionë eurosh, plus 6 milionë euro bonuse, por kjo shumë ende nuk i plotëson kërkesat e Brightonit.
“Seagulls” kërkojnë një shumë më të lartë për ta lejuar largimin e Balebës, i cili ka kontratë me klubin deri në vitin 2028.
Baleba iu bashkua Brightonit nga Lille në verën e vitit 2023 për rreth 27 milionë euro, ndërsa vlera e tij është rritur ndjeshëm falë paraqitjeve të tij në futbollin anglez.
Interesi i Manchester United për Balebën nuk është i ri. “Djajtë e Kuq” e kishin shqyrtuar transferimin e tij edhe një vit më parë, por në atë kohë Brightoni ia kishte vendosur lojtarit një çmim prej rreth 140 milionë eurosh, shumë e konsideruar e tepruar nga klubi anglez.
Tani, megjithatë, distanca mes dy klubeve duket se është zvogëluar dhe operacioni për transferimin e Balebës mund të hyjë në fazën vendimtare.