Policia e Kosovës ka njoftuar se ka gjobitur drejtuesin e një kamioni dhe kompaninë pronare të mjetit, pasi disa blloqe ndërtimore kishin rënë në rrugën Zhur–Dragash, duke penguar dhe rrezikuar qarkullimin e automjeteve.
Rasti ka ndodhur më 19 gusht 2026, rreth orës 11:00, në pjesën e rrugës te “Laku i Keq”, ku patrulla policore e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor (NJRTRR) në Prizren kishte pranuar informacionin për blloqet e rëna nga një mjet transportues.
Patrulla policore ka intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është vërtetuar gjendja faktike. Sipas Policisë, ngasësi i mjetit transportues kishte vazhduar lëvizjen pa u ndalur.
Në bashkëpunim me patrullën policore të Stacionit Policor të Dragashit, zyrtarët policorë kanë arritur ta ndalojnë mjetin transportues, një kamion me tabela vendore, në pronësi të një kompanie nga Prizreni.
Me këtë rast, patrulla policore i ka shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje drejtuesit të mjetit dhe personit juridik, përkatësisht kompanisë, në bazë të Ligjit të Trafikut 08/L-186.
Ndërkohë, nga kompania e autorizuar është bërë menjëherë largimi i blloqeve të rëna në rrugë, duke mundësuar normalizimin e qarkullimit të automjeteve.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar për ofrimin e sigurisë në komunikacion, parandalimin e rreziqeve dhe garantimin e një qarkullimi të lirë e të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.