Insajderi
Insporti

Egnatia dhe Dinamo në betejë për ëndrrën evropiane, sonte kërkojnë hapin e madh

Insajderi
20 August 2026 - 14:24
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Egnatia dhe Dinamo në betejë për ëndrrën evropiane, sonte kërkojnë hapin e madh
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kjo e enjte është dita e Egnatias dhe Dinamos, dy skuadrave shqiptare që synojnë të shkojnë sa më larg në futbollin evropian.

Kampionia e Shqipërisë dhe fituesja e Kupës së Shqipërisë do të zbresin sonte në fushë për ndeshjet e para të playoffit në Europa League dhe Conference League.

Egnatia tashmë ka shkruar historinë, pasi e ka siguruar pjesëmarrjen në fazën e Ligës në Conference League. Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Nevil Dede kërkon edhe më shumë – kualifikimin në fazën e Ligës në Europa League.

Pengesa e fundit e Egnatias drejt këtij objektivi është Lillestrom, një kundërshtar që kampionët e vendit besojnë se mund ta kalojnë, sidomos duke parë paraqitjet e tyre në raundet e mëparshme.

Ndeshja do të zhvillohet në orën 19:00, ndërsa Egnatia do të ketë avantazh faktorin fushë, pasi do të luajë para publikut të saj. Kampionët shqiptarë do të kërkojnë të shfrytëzojnë edhe momentin e vështirë që po kalon Lillestrom, i cili në katër ndeshjet e fundit në kampionat nuk ka arritur të fitojë.

Egnatia nuk do të ketë në dispozicion Ndrecan, i cili është i skualifikuar për shkak të kartonit të kuq të marrë në sfidën e kaluar. Në vend të tij, titullar mund të jetë Jago ose Ajetovikij.

Në orën 21:00 do të jetë radha e Dinamos, e cila do të presë në shtëpi Pafos.

Pas eliminimit të Aluminij dhe Audan, skuadra e Ilir Dajës ka një mundësi të artë për të siguruar kualifikimin në fazën e Ligës në Conference League. Pengesa e fundit në këtë rrugëtim është skuadra qipriote e Pafos.

Ilir Daja është një trajner me eksperiencë të madhe në kompeticionet evropiane. Gjatë karrierës së tij, ai ka arritur të kualifikojë Skënderbeun dhe Ballkanin në fazën e grupeve të kompeticioneve të UEFA-s. Kjo përvojë pritet ta ndihmojë edhe te Dinamo, me synimin për të bërë mrekullinë me skuadrën kryeqytetase.

Te Dinamo rikthehet Përndreca, i cili ka shlyer skualifikimin pas kartonit të kuq. Ndërkohë, Daja është në dilemë për formacionin titullar, konkretisht mes Ruben Silvas dhe Richards.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark