Një histori e pabesueshme vjen nga League Two, liga e katërt e futbollit anglez.
Tranmere Rovers u gjend pa portier rezervë dhe, pas lëndimit të titullarit, u detyrua ta vendoste një mbrojtës mes shtyllave.
Ai ishte Bobby Faulkner, i cili për më shumë se 40 minuta u shndërrua në heroin e ndeshjes, shkruan “Gazeta Express”.
Tranmere luante në udhëtim ndaj Port Vale dhe e pa veten në disavantazh që në minutën e 18-të, kur Byers shënoi nga pika e bardhë.
Në minutën e 53-të erdhi një tjetër goditje për skuadrën e Darrell Clarke: portieri titullar Harrison Male, i vetmi portier i disponueshëm në skuadër, u dëmtua dhe nuk mund të vazhdonte ndeshjen.
Por pyetja ishte: kush do të qëndronte në portë? Zgjidhja ishte Bobby Faulkner, mbrojtësi qendror i vitit të lindjes 2004, në pronësi të Doncaster Rovers dhe i huazuar këtë sezon te Tranmere.
Nga ai moment, ndeshja e mori një kthesë të jashtëzakonshme.
Në pjesën e dytë, Tranmere arriti të barazojë 1-1 me Tom Ince, djalin e ish-mesfushorit të Manchester United, Interit dhe Liverpoolit, Paul Ince.
Ndërkohë, në portën tjetër, Faulkner i veshi dorezat dhe u bë protagonist.
Për më shumë se 40 minuta, ndërhyrjet e tij mes shtyllave dhe daljet nga porta rezultuan vendimtare për ta ruajtur rezultatin dhe për t’ia siguruar Tranmeres një pikë të çmuar dhe të papritur.
Një histori e jashtëzakonshme që vjen nga futbolli anglez dhe që padyshim do të mbetet gjatë në kujtesën e klubit.
Bobby Faulkner, mbrojtësi që u kthye në portier për një ditë dhe u shndërrua në heroin e Tranmere Rovers.