As Shtetet e Bashkuara dhe as Rusia nuk kanë komentuar mbi fluturimin dhe nuk kanë konfirmuar nëse Ratcliffe ndodhej në bord.
Një avion që besohet se transportonte drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, është larguar nga Moska, sipas të dhënave të publikuara nga platforma e gjurmimit të fluturimeve Flightradar24.
Ratcliffe raportohet se udhëtoi drejt Moskës për bisedime, por ende nuk dihet se me kë është takuar apo cila ka qenë agjenda e vizitës. Udhëtimi përbën vizitën e parë të njohur të një drejtuesi të inteligjencës amerikane në Moskë që nga nëntori i vitit 2021, kur paraardhësi i Ratcliffe, William Burns, zhvilloi bisedime me presidentin rus Vladimir Putin. Rreth tre muaj më vonë, Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Vizita e befasishme u raportua fillimisht nga mediat amerikane, ndërsa një burim i njohur me çështjen konfirmoi për NBC News se Ratcliffe kishte udhëtuar në Rusi për bisedime.
Më herët, një avion ushtarak amerikan i tipit Globemaster u ul në aeroportin Vnukovo të Moskës, pas një ndalese në Letoni. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan avionin duke zbritur në kryeqytetin rus.
Sipas analistëve, përdorimi i një avioni të tillë ka tërhequr vëmendje të veçantë, pasi Globemaster përdoret zakonisht për transportin e automjeteve dhe pajisjeve gjatë udhëtimeve ndërkombëtare, përfshirë automjetet e blinduara të përdorura për udhëtimet e presidentit amerikan.
Ndërkohë, në Moskë janë parë edhe automjete me targa diplomatike amerikane.
Përmbajtja e bisedimeve mbetet e panjohur. Mes spekulimeve është edhe mundësia që Ratcliffe të ketë përcjellë një propozim lidhur me paqen në Ukrainë, ose një paralajmërim për Moskën në lidhje me zhvillimet e fundit të sigurisë në Gjermani dhe vendet baltike. /euronews/