Insajderi
Sport

Ish-ylli i Premierligës zhduket pa gjurmë, policia i nis kërkimet për të

Insajderi
26 August 2026 - 11:16
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Ish-ylli i Premierligës zhduket pa gjurmë, policia i nis kërkimet për të
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Policia në Hungari i ka nisur kërkimet për ish-futbollistin e Premierligës, Ákos Buzsáky, i cili rezulton i zhdukur prej më shumë se një jave. 

Buzsáky, 44 vjeç, është i njohur për paraqitjet e tij me Queens Park Rangers në Premierligë gjatë sezonit 2011/12, ku i shënoi dy gola.

Ai ka luajtur gjithashtu për Plymouth dhe Portsmouth, përpara se ta mbyllte karrierën si futbollist.

Ish-mesfushori hungarez është shpallur zyrtarisht person i zhdukur nga autoritetet dhe emri i tij është futur në listën e personave që kërkohen nga policia.

Sipas të dhënave zyrtare, ai po kërkohet që prej 18 gushtit. 

Babai i Buzsákyt ka folur për mediat hungareze dhe e ka pranuar se nuk ishte në dijeni se policia kishte nisur kërkimet për djalin e tij,

Ai ka treguar se Ákos kalon shumë kohë në Greqi, ku punon si kontraktor në sektorin e ndërtimit.

“Nuk e dija që edhe policia po e kërkonte djalin tim”, ka thënë babai i ish-futbollistit. 

“Ai kalon shumë kohë në Greqi, ku punon si kontraktor ndërtimi. Pothuajse të gjithë vitin e kaluar e ka kaluar atje. Meqë nuk jetojmë nën të njëjtën çati, nuk është e çuditshme që flasim më rrallë”, ka treguar ai.

Babai i tij ka bërë të ditur se bisedën e fundit me Ákosin e ka pasur javën e kaluar, kur ish-futbollisti ndodhej në shtëpi. 

Sipas raportimeve, Buzsáky nuk jeton më me nënën e dy vajzave të tij. Ndërkohë, edhe nëna e tij është përfshirë në përpjekjet për ta gjetur dhe dyshohet se mund të ketë qenë ajo që e ka raportuar zhdukjen e tij në polici. 

Deri tani, nuk ka një shpjegim zyrtar se çfarë ka ndodhur me ish-futbollistin, ndërsa autoritetet po i vazhdojnë kërkimet.

Buzsáky ka qenë 20 herë pjesë e kombëtares së Hungarisë. Ai e nisi karrierën te MTK dhe më pas u transferua te Porto, me të cilën e fitoi titullin kampion, Kupën e Portugalisë dhe Kupën UEFA.

Më vonë e ndërtoi një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij në futbollin anglez, ku u bë veçanërisht i njohur me Plymouth dhe QPR.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark