Atlético Madrid ka ashpërsuar përplasjen me Barcelonën për transferimin e Julián Álvarez. Klubi madrilen ka bërë të qartë se argjentinasi nuk do të shitet te Barça, ndërsa sipas “Cadena SER”, Atlético po përgatit edhe hapin e radhës në çështjen ligjore ndaj klubit katalanas.
Sipas një deklarate të klubit të publikuar nga “MARCA”, Atlético pretendon se është dëmtuar ekonomikisht dhe në imazh nga e gjithë saga, duke akuzuar Barcelonën dhe rrethin e lojtarit për ushtrimin e presionit ndaj Álvarezit.
Ndërkohë, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka konfirmuar sot se klubi vazhdon të jetë i interesuar për Julián Álvarezin dhe dëshiron që Atlético Madrid ta pranojë ofertën për argjentinasin.
Atlético, megjithatë, është kategorik në qëndrimin e tij: klubi nuk dëshiron ta shesë Álvarezin te Barcelona, ndërsa këtë përballje e konsideron si një betejë për “dinjitet”, dhe jo vetëm për para.
Saga mes dy klubeve tashmë ka kaluar edhe në planin institucional, pasi Atlético Madrid ka paraqitur ankesa ndaj Barcelonës në FIFA dhe Federatën Mbretërore Spanjolle të Futbollit (RFEF).