Gjykata e Apelit e Kosovës -Departamenti Special ka marrë vendim për ndërprerjen e menjëhershme të masës së arrestit shtëpiak dhe lirimin e të pandehurit Flamur Krasniqi, i cili po hetohej nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe falsifikim të dokumenteve.
Sipas aktvendimit të datës 26 gusht 2026 të cilin e ka parë Gazeta Insajderi, Apeli ka aprovuar ankesën e mbrojtëses së tij, avokates Yllka Dashi, duke ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Vendimi i Gjykatës së Apelit u bazua në këto arsye:
Gjykata e Apelit konstatoi se i pandehuri mbahej nën masa kufizuese që nga data 24 janar 2025, kur i i ishte caktuar fillimisht paraburgimi. Meqenëse kishin kaluar më shumë se 18 muaj në fazën e hetimit pa u ngritur aktakuzë, vazhdimi i mëtejshëm i arrestit shtëpiak ishte në kundërshtim të plotë me nenin 187 të Kodit të Procedurës Penale.
Kolegji i Apelit (i përbërë nga gjyqtarët Vaton Durguti, Mentor Bajraktari dhe Valon Kurtaj) rikujtoi se sipas legjislacionit në fuqi, nëse aktakuza nuk ngrihet brenda afatit maksimal 18-mujor gjatë hetimit, i pandehuri duhet të lirohet menjëherë.
Apeli gjeti se Gjykata Themelore gabimisht kishte aprovuar kërkesën e PSRK-së për vazhdimin e masës edhe për dy muaj të tjerë, pa dhënë asnjë arsyetim për shkeljen e afatit maksimal ligjor.
Me këtë vendim, Flamur Krasniqi është urdhëruar të lirohet menjëherë për t’u mbrojtur në liri.
Rasti i njohur si “Rrjeti Krasniqi” është cilësuar nga institucionet si një prej goditjeve më të mëdha kundër krimit të organizuar dhe falsifikimit të dokumenteve në Kosovë.
Që nga janari i vitit 2025, kur Policia e Kosovës ndaloi një automjet në të cilin u gjetën 16 çanta plot me dokumente, e deri te zbulimi i një laboratori të sofistikuar në lagjen “Qëndresa” në Prishtinë, ky grup ka qenë në qendër të vëmendjes.
Siç ka raportuar Gazeta Insajderi dhe siç u theksua së fundmi edhe nga mediumi britanik “The Telegraph”, rrjeti dyshohet se prodhonte dokumente identifikimi të falsifikuara të mbi 50 shteteve të ndryshme, duke u mundësuar kështu emigrantëve të paligjshëm të hynin lirshëm në Evropë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Përfshirja e inteligjencës britanike, ndihma logjistike për Policinë e Kosovës dhe sanksionet e ashpra të vendosura nga Londra e ngritën këtë operacion në nivel të lartë ndërkombëtar.