Gazeta Insajderi
Në Konsullatën e Kosovës në Stuttgart, gazeta ka siguruar materialet, përmes videove të cilat ngrenë pikëpyetje serioze lidhur me mënyrën e organizimit dhe ushtrimit të shërbimeve konsullore në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Stuttgart.
Në pamjet e publikuara shihet z. Xhemajli Luta, shofer i Konsullit të Përgjithshëm, z. Hamdi Berbatovci, duke marrë pjesë në procedura që lidhen me ofrimin e shërbimeve konsullore dhe trajtimin e dokumenteve personale të qytetarëve. Në të njëjtat materiale shfaqet edhe zëvendëskonsullja Shpresa Rama, e cila, sipas përmbajtjes së pamjeve, lejon kryerjen e këtyre veprimeve. Po ashtu, pretendohet se një angazhim i tillë është bërë me miratimin dhe lejen e drejtuesit të Konsullatës, z. Hamdi Berbatovci.
Në bazë të rregullave dhe procedurave administrative që zbatohen për dokumentet personale dhe shërbimet tjera te gjendjes civile, këto procese duhet të kryhen nga zyrtarë të autorizuar, të pajisur me kredencialet përkatëse. Prandaj filmimet e publikuara shtrojnë nevojën për një verifikim institucional, me qëllim që të përcaktohet nëse procedurat e paraqitura në pamje janë zhvilluar në përputhje me kompetencat ligjore dhe administrative, apo sipas qefit të menaxhmentit. Këto pamjet gjithashtu ngrejnë pyetje mbi mekanizmat e mbikëqyrjes së brendshme, ndarjen e përgjegjësive dhe përgjegjësinë menaxheriale për mënyrën e organizimit të punës në këtë mision diplomatik.
Nga burmet e gezetës pretendohet se angazhimi i personelit teknik-administrativ në këto procedura konsullore nuk ka qenë një rast i izoluar, por ishte një praktikë e përsëritur.
Nëse një pretendim i tillë rezulton i saktë, atëherë çështja kërkon verifikim të plotë nga institucionet kompetente. Për këtë arsye, do të ishte e nevojshme që autoritetet përgjegjëse të shqyrtojnë dokumentacionin administrativ, regjistrat e aplikimeve, autorizimet përkatëse dhe procedurat e ndjekura, në mënyrë që të përcaktohet nëse veprimet e paraqitura janë kryer në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi.
Burimet e gazetes tregojnë për një rast të mëhershëm gjyqësor për shoferin e Konzullit, z. Xhemalji Luta, ku me anë të një vendimi të një gjykate në Stuttgart atijë I është ndaluar prania në një pjesë të konzullatës ku punonte një grua viktimë e këtij të fundit. Sipas dokumentacionit të pretenduar qe i është vënë në dispozicion redaksisë, bëhet fjalë për një vendim gjyqësor të formës së prerë lidhur me një rast të sulmit ndaj një kolegeje në vendin e punës.
Në këtë kuadër, çështja kryesore që shtrohet është nëse praktikat e paraqitura në materialet filmike janë zhvilluar në përputhje me autorizimet ligjore dhe administrative dhe nëse drejtuesit e misionit kanë ushtruar mbikëqyrjen e nevojshme mbi mënyrën e ofrimit të shërbimeve konsullore. Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve mbetet në kompetencë e institucioneve gjegjëse.