Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se po e bën “më të mirën e mundshme” për formimin e institucioneve, ndërsa seanca konstituive e Kuvendit, e cila nisi në fillim të muajit, ende nuk po vazhdon.
Kurti, pas takimit të mërkurën mbrëma me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se ai nuk ka rol në thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive.
“Seancën konstituive, siç e dini, e thërret deputeti më i moshuar, në këtë rast, Avni Dehari, i cili, i ka dhënë edhe ai arsyet dhe argumentet e veta pse s’po e bën një gjë të tillë”, tha Kurti.
Më tej, ai përmendi edhe “incidentet në Kuvend”, duke iu referuar një situate tensionuese të ndodhur para disa ditësh, ku u përfshinë ministra dhe deputetë nga LVV-ja, PDK-ja dhe Aleanca.
“Tash duhet ta dimë, a po duam konstituim të Kuvendit që të mos kemi zgjedhje dhe të kemi stabilitet institucional, apo po duam konstituim të Kuvendit që të kemi incidente dhe të kemi zgjedhje?”, deklaroi Kurti.
“Unë nuk kam se çfarë diskutoj në këtë aspekt, meqenëse seancat i thërret kryesuesi aktual, i përkohshëm gjithsesi, deputeti më i moshuar, i cili, siç e thashë më herët, tashmë ka dhënë shpjegimet për veprimet e tij”, shtoi kreu i LVV-së.
Kanë kaluar pothuajse tre muaj që prej mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, ndërsa Kuvendi ende nuk është konstituuar.
Me kërkesë të Kurtit, seanca konstituive e Kuvendit, e cila nisi më 6 gusht, u ndërpre dy herë radhazi. Ai nuk e propozoi kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi deklaroi se do të ishte e padobishme që të zgjidhet kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, më 7 gusht në mesnatë ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LVV-ja, e caktoi për 8 gusht vazhdimin e seancës konstituive, e cila u ndërpre nga ai në po të njëjtën mënyrë si ditën kur nisi.
LVV-ja thotë se nuk do të ketë vazhdim të seancës konstituive pa një marrëveshje paraprake për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat kushtetues 60-ditor, i cili fillon të rrjedhë vetëm pasi të konstituohet Kuvendi.