Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobrac, lidhur me barrikadat e vitit 2022 në Komunën e Zveçanit. Radosavljeviq është dënuar me 9 muaj burgim, ndërsa Dobrac me 1 vit burgim, raporton Ekonomia Online.
Aktgjykimi është shpallur të hënën nga gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri.
Për veprën penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues”, i akuzuari Radosavljeviq është shpallur fajtor dhe është dënuar me 9 muaj burgim.
Ndërkaq, i akuzuari Dobrac është shpallur fajtor për veprat penale “Bashkimi në veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Për veprën e parë, Dobrac është dënuar me 6 muaj burgim, ndërsa për veprën e dytë me 6 muaj burgim. Gjykata ndaj tij ka shqiptuar dënim unik prej 12 muajsh burgim.
Dënimi ndaj dy të akuzuarve do të ekzekutohet 30 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Sa i përket kërkesës pasurore-juridike, gjykatësi ka deklaruar se ajo nuk ekziston.
Ndërkaq, të akuzuarit janë urdhëruar të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale, sipas llogaritjes përfundimtare të gjykatës. Ata duhet të paguajnë nga 200 euro për paushallin gjyqësor dhe nga 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.