Raportimet nga Italia bëjnë të ditur se Juventusi është vënë në lëvizje në përpjekje për të transferuar Nick Woltemade në Torino nga Newcastle, pasi ka arritur marrëveshje për dërgimin e Jonathan David tek Atletico Madridi.
Mund të jetë një rast i një largimi dhe një afrimi në repartin ofensiv të Juventusit në ditët e fundit të afatit kalimtar veror.
Luciano Spalletti ka kërkuar prej kohësh të afrojë një sulmues të ri për të konkurruar dhe alternuar me Randal Kolo Muanin, por “Zonja e Vjetër” fillimisht duhej të largonte lojtarët që zhgënjyen sezonin e kaluar, Davidin dhe Lois Opendan.
Openda iu bashkua Lyonit në formë huazimi në fillim të kësaj vere, ndërsa raportimet e së hënës pretendojnë se Juventus ka arritur marrëveshje për ta dërguar Davidin tek Atletico Madrid në një huazim njëvjeçar, me opsion blerjeje prej 25 milionë eurosh.
Kjo i hap rrugën afrimit të një sulmuesi të ri dhe, pavarësisht lidhjeve të fundit me Jonathan Zirkzee të Manchester Unitedit dhe Alexander Sorlothit të Atletico Madridit, raportimet në ditën e parafundit të afatit kalimtar veror bëjnë të ditur se Woltemade i Newcastle është aktualisht objektivi kryesor.