Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) do të mbajë sot protestë para Qeverisë së Kosovës, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke nisur nga ora 11:00. Protesta është paralajmëruar të jetë paqësore, institucionale dhe jopartiake.
Një ditë para protestës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, publikoi një video në Facebook, përmes së cilës u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës. Ai kërkoi nga ekzekutivi qendror që të mos ua marrë komunave atë që, sipas tij, u takon.
“Nuk mundesh me ua marrë qytetarëve buxhetin, me ua blloku projektet e me ua ndal zhvillimin vetëm pse nuk të kanë votuar. Kjo nuk është qeverisje. Është ndëshkim politik”, ka deklaruar Rama.
Rama e ka akuzuar Qeverinë se po bllokon fondet dhe projektet komunale, duke e lidhur këtë me përkatësinë politike të komunave. Sipas tij, që nga viti 2022, buxheteve komunale u janë marrë mbi 344 milionë euro për obligime të krijuara në nivelin qendror, ndërsa vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, sipas tij, janë marrë rreth 55 milionë euro.
Thirrje për pjesëmarrje në protestë ka bërë edhe kryetari i Aleancës dhe i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së komunave të Kosovës, e cila do të mbahet sot në Prishtinë, kundër asaj që ai e konsideron cenim të kompetencave dhe të drejtave ligjore të pushtetit lokal nga niveli qendror.
Gjini ka thënë se komunat janë “adresa e parë e qytetarëve” dhe segmenti kryesor i përfaqësimit të tyre institucional. Ai ka akuzuar nivelin qendror se po ndërhyn në mënyrë të jashtëligjshme dhe me motive politike në kompetencat komunale.
Ndër çështjet që ka përmendur Gjini janë shkurtimet buxhetore, lënia jashtë planifikimeve financiare e mbi 3.100 mësimdhënësve, moskompensimi i dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, centralizimi i inspektorateve dhe i punësimit në shërbimin civil, si dhe kufizimet që, sipas tij, po vendosen ndaj pronave komunale.
Protesta e sotme e AKK-së synon, ndër të tjera, mbrojtjen e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, kompensimin e obligimeve nga kontratat kolektive, si dhe kundërshtimin e ndërhyrjeve të nivelit qendror në autonominë lokale.