Banka Qendrore e Kosovës (BQK), përveç privilegjeve që gëzon stafi i saj, ka menduar edhe për kafenë që do të konsumohet gjatë orarit të punës.
Në fund të muajit gusht, BQK-ja ka dhënë kontratën për furnizim me kafe për nevojat e stafit, ndërsa vlera e saj kap shumën prej 32 mijë e 400 eurosh.
Kontrata i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë GET TO GO LLC & GSM SH.P.K., me adresë në Prishtinë.
Sipas njoftimit për dhënien e kontratës, procedura është zhvilluar përmes tenderit të hapur, ndërsa në garë kanë qenë gjithsej dy tenderues.
Kontrata mban titullin “Furnizim me kafe për nevojat e stafit të BQK-së – Ri-tender”, ndërsa vlera e saj, sipas ofertës fituese, është 32,400 euro.
Sipas njoftimit, kontrata është njëvjeçare, me mundësi vazhdimi në përputhje me nenin 43 të Rregullës së Prokurimit në BQK.