Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Mitrovicë të Veriut, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të kanosjes.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur gjatë ditës së sotme, ndërsa bazuar në hetimet fillestare, personi i dyshuar M.M. (1980) dyshohet se ka kanosur ish-gruan e tij përmes mesazheve në telefon.
Në lidhje me rastin, Policia ka ndërmarrë veprime të shpejta në terren dhe ka arritur ta lokalizojë personin e dyshuar në adresën e tij të banimit në qytetin e Mitrovicës së Veriut.
I njëjti është shoqëruar në Stacionin Policor, ku është intervistuar në lidhje me rastin e raportuar.
“Pas verifikimit të personit, i njëjti ka rezultuar me urdhër-arrest aktiv, të lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, për veprën penale ‘Ngasje në gjendje të dehur’. Sipas urdhëresës së gjykatës, pas përfundimit të procedurave në Stacionin Policor, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit me kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh burgim”, thuhet në njoftimin e Policisë.