Pesë persona janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe tentim për tjetërsimin e një prone në Fushë Kosovë, në vlerë prej 1.5 milionë eurosh.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se arrestimet janë kryer sot në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Sipas dyshimeve të para, personat e arrestuar “duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar” kanë pajisur me fletë poseduese një person me inicialet M.S. për një pronë prej rreth 2 hektarësh në Fushë Kosovë.
Më pas, sipas Prokurorisë, M.S. ka tentuar që në bashkëpunim me persona të tjerë ta shesë këtë pronë te dy persona me inicialet M.Z. dhe M.Z., duke përdorur “dokumente të falsifikuara”.
Vlera e pronës, sipas njoftimit, është rreth 1 milion e 500 mijë euro.
Pesë të dyshuarit po hetohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në bashkëkryerje.
Arrestimi është kryer nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ndërsa me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Prokuroria ka thënë se hetimet për këtë rast do të vazhdojnë. /Insajderi.org/