Lionel Messi po përgatitet për një tjetër lëvizje të madhe jashtë fushës! Ylli argjentinas ka arritur një marrëveshje në parim për të blerë 100% të aksioneve të CD Eldense, klubit që aktualisht garon në Segunda División, niveli i dytë i futbollit spanjoll.
Sipas raportimeve nga Spanja, Messi do ta marrë klubin i vetëm, pa përfshirjen e partnerëve të tjerë. Operacioni pritet të finalizohet në ditët e ardhshme, pasi të përfundojnë procedurat ligjore dhe kontraktuale, ndërsa marrëveshja duhet të marrë edhe miratimin e Këshillit të Lartë të Sportit në Spanjë (CSD).
Blerja e Eldenses do të ishte një tjetër hap i rëndësishëm në strategjinë e Messit për të ndërtuar rrjetin e tij të klubeve. Në prill të këtij viti, argjentinasi bleu gjithashtu UE Cornellà, klub që garon në kategoritë e ulëta të futbollit spanjoll.
Eldense, me bazë në Elda të provincës së Alicante-s, po kalon një fillim të vështirë të sezonit. Klubi ka vetëm dy pikë pas katër ndeshjeve dhe aktualisht ndodhet në zonën e poshtme të tabelës.
Nëse marrëveshja përfundon me sukses, Messi do të bëhet pronar i një klubi profesionist në futbollin spanjoll, duke nisur kështu një kapitull të ri në karrierën e tij si investitor.