Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se është e drejtë ekskluzive e secilës parti politike që të propozojë kandidatin e saj për nënkryetar të Kuvendit.
Gashi, para vazhdimit të seancës konstituive, tha se tashmë është e qartë se kush po e bllokon procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Tashmë po e kuptoni kush po e bllokon Kuvendin. Është e drejtë ekskluzive e partive për të propozuar nënkryetarët e Kuvendit”, ka thënë Gashi.
I pyetur për kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje që LDK-ja të ndryshojë kandidatin për nënkryetar, Kujtim Shalën, Gashi tha se një parti tjetër nuk mund t’ia caktojë LDK-së emrin e kandidatit.
Sipas tij, për situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, pyetjet duhet t’i drejtohen LVV-së.