Insajderi
Lajme

Kelmendi për vendimin e VV’së: Që nesër të hyhet në 60 ditësh, pastaj në 45 ditësh, pastaj 27 dhjetori për zgjedhjet

Insajderi
13 September 2026 - 08:30
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Kelmendi për vendimin e VV’së: Që nesër të hyhet në 60 ditësh, pastaj në 45 ditësh, pastaj 27 dhjetori për zgjedhjet
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Autori i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, ka reaguar ndaj vendimit të Lëvizjes Vetëvendosje që t’i votojë Vlora Çitakun e PDK-së dhe Kujtim Shalën e LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit.

LVV-ja njoftoi të shtunën mbrëma, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kryesisë, se deputetët e saj do t’i votojnë Çitakun dhe Shalën në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.

Në komunikatë, partia në pushtet tha se vendimi synon stabilitetin institucional dhe shmangien e zgjedhjeve të reja, të cilat i cilësoi si të panevojshme dhe të kushtueshme. LVV-ja gjithashtu tha se pret që ky “vullnet i mirë” të reflektohet në konstruktivitetin e PDK-së dhe LDK-së gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit.

Kelmendi e ka cilësuar vendimin si të vonshëm dhe ka ngritur pikëpyetje mbi arsyen pse LVV-ja vendosi pikërisht tani t’i votojë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së.

“Çfarë shtosi! Çfarë talljeje! Përnjëherë sonte LVV paska vendosur t’i votojë Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën për nënkryetarë të Kuvendit! Hahahahaha!”, ka shkruar Kelmendi.

Ai ka pretenduar se konstituimi i Kuvendit nuk e largon domosdoshmërisht mundësinë e zgjedhjeve të reja, por mund ta hapë rrugën drejt tyre nëse dështon procesi i zgjedhjes së presidentit.

Sipas Kelmendit, nëse Kuvendi konstituohet më 13 shtator dhe fillon procedura e zgjedhjes së presidentit, në rast se presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues, Kuvendi mund të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Kushtetuta parasheh se Kuvendi shpërndahet nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditësh nga fillimi i procedurës së zgjedhjes së tij, ndërsa zgjedhjet e reja, në rast të shpërndarjes, duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes.

“Dmth sërish mendojnë se krejt populli është nivel i PISA-s dhe nuk e kuptojnë se konstituimi i Kuvendit pikërisht nesër është jo për të mos shkuar në zgjedhje, por pikërisht e kundërta – për të shkuar në zgjedhje”, ka shkruar ai.

“Pse vendosën mu sonte të bëhen të mirëkuptueshëm? Se mendojnë ndoshta që të gjithë në këtë vend hajnë bari!”, ka shtuar Kelmendi.

Ai ka parashtruar edhe skenarin e tij për zhvillimet pas konstituimit të Kuvendit, duke thënë se nëse nuk arrihet zgjedhja e presidentit, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja në fund të vitit.

Kelmendi ka thënë se sipas tij, gjatë ditëve në vijim do të ketë një “urgjencë” për konstituimin e Kuvendit, pikërisht për shkak të afateve që mund të çojnë në një datë zgjedhjesh që, sipas tij, i konvenon LVV-së.

“Përndryshe, nuk do të humbeshin gjithë këta muaj pas zgjedhjeve kot!”, ka shkruar ai. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark