Insajderi
Insporti

Hodaj: Largimi i Rrahmanit alarm për futbollin kosovar, FFK e Kombëtarja është e Kosovës jo e individëve

Insajderi
13 September 2026 - 14:42
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Hodaj: Largimi i Rrahmanit alarm për futbollin kosovar, FFK e Kombëtarja është e Kosovës jo e individëve
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Avokati dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Taulant Hodaj, ka reaguar pas deklaratës së kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmani, se nuk do të luajë për Kombëtaren përderisa FFK-ja udhëhiqet nga personat aktualë.

Hodaj e ka cilësuar këtë situatë si “alarm për të gjithë”, duke thënë se Rrahmani po sakrifikon pozitën e kapitenit për të kërkuar ndryshime në futbollin kosovar, shkruan Insajderi.

“Kur Amir Rrahmani, kapiteni i Kosovës dhe aktualisht futbollisti shqiptar më i suksesshëm në arenën ndërkombëtare, deklaron se nuk mund të luajë për Kosovën përderisa FFK-ja udhëhiqet nga personat aktualë, duhet të jetë alarm për të gjithë”, ka shkruar Hodaj.

Sipas tij, Rrahmani ka mundur të heshtë dhe të vazhdojë karrierën e tij me Kombëtaren, por ka zgjedhur të reagojë pasi, siç pretendon Hodaj, janë shteruar përpjekjet për t’i adresuar problemet brenda FFK-së.

Hodaj ka thënë se gjatë dy viteve të fundit ka pasur “padrejtësi të vazhdueshme”, ndërsa ka pretenduar se kërkesat për profesionalizëm, organizim dhe llogaridhënie në FFK janë shoqëruar me pengesa dhe presione.

“Madje, konsideroj se Kapiteni është treguar shumë modest dhe i përmbajtur në deklaratën e tij. Ai nuk i ka detajuar shumë prej padrejtësive, presioneve, kërcënimeve dhe veprimeve serioze penale që kanë cenuar atë dhe funksionimin e Kombëtares”, ka deklaruar Hodaj.

Ai ka pretenduar gjithashtu se ndaj personave që kanë kërkuar profesionalizëm në FFK janë ndërmarrë, siç i quan ai, veprime për t’i penguar dhe diskredituar.

Hodaj ka thënë se tashmë ka nisur një fushatë sulmesh ndaj Rrahmanit në rrjetet sociale.

“Kjo nuk duhet ta largojë vëmendjen nga thelbi i deklaratës së tij dhe paraqitjes që ka bërë para organeve të drejtësisë”, ka shkruar ai.

Në fund, Hodaj ka thënë se Rrahmani nuk ka deklaruar se po pensionohet nga Kombëtarja, por se po sakrifikon pozitën e kapitenit për të kërkuar ndryshim dhe profesionalizëm.

“Futbolli, Kombëtarja dhe FFK-ja janë të Kosovës, jo të individëve”, ka përfunduar Hodaj. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark