Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin me pagesë të një zyrtari policor që shërben në Stacionin Policor Kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Rasti ka të bëjë me një shumë prej 105 eurosh, e cila ishte raportuar e humbur nga një punonjës i aeroportit më 9 shtator, shkruan Insajderi.
Sipas IPK-së, nga shqyrtimi i pamjeve të kamerave të sigurisë është konstatuar se paratë ishin gjetur nga një udhëtare, shtetase e Kosovës me banim në Gjermani, e cila më pas ia kishte dorëzuar ato një zyrtari policor.
Gjatë hetimeve, zyrtari policor ka pranuar se i kishte marrë paratë, por nuk i kishte dorëzuar dhe trajtuar ato në përputhje me procedurat ligjore dhe institucionale.
Sipas shkresave të rastit, paratë më vonë ishin vendosur nga polici në kutinë e donacioneve të një organizate bamirëse në aeroport.
IPK ka thënë se, duke vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm dhe për të siguruar zhvillimin e papenguar të hetimeve, i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin me pagesë të zyrtarit.
Hetimet po zhvillohen në drejtim të veprave penale “Përvetësimi në Detyrë” dhe “Shpërdorimi i Pasurisë së Huaj”.
Hetuesit e IPK-së, në koordinim me Prokurorinë, do të vazhdojnë me veprime të tjera hetimore për të ndriçuar plotësisht rrethanat e rastit. /Insajderi.org/