Shkruan: Taulant Hodaj
Për ‘Gjykatën Speciale’ jam prononcuar shpesh, si jurist e avokat, jam përpjekur gjithmonë të mbaj një qëndrim sa më objektiv e profesional.
Por, para aktgjykimit të 16 shtatorit, nuk mund të mos e them edhe mendimin tim personal, si shqiptar i Kosovës dhe si avokat që kam qenë pjesë e mbrojtjes së disa prej të akuzuarve, në veçanti të z. Shukri Buja.
Politikisht në lidhje me angazhimet në funksionet shtetërore mund të kemi mendime të ndryshme për secilin prej tyre. Por kur sheh në retrospektivë se si disa të rinj, shumë prej tyre në mes të njëzetave dhe tridhjetave, në rrethana jashtëzakonisht të vështira organizuan dhe udhëhoqën luftën për çlirimin e Kosovës, e cila së bashku me ndërhyrjen të NATO-s solli lirinë tonë, nuk ke si të mos ua heqësh kapelën për atë që bënë për këtë vend.
Shpresoj që nesër të kemi një aktgjykim lirues dhe që ata të kthehen te familjet dhe vendi i tyre.
Një verdikt i tillë do të kishte peshë jo vetëm për ta, por edhe për Kosovën, historinë dhe të ardhmen e saj.
Me shpresë për drejtësi dhe kthim në shtëpi.