Insajderi
Sport

Zidane e ka vendosur një rregull të ri, i cili do të ndikojë te të gjithë lojtarët e Francës

Insajderi
18 September 2026 - 16:05
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Zidane e ka vendosur një rregull të ri, i cili do të ndikojë te të gjithë lojtarët e Francës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Tifozët që janë mësuar t’i shohin lojtarët e Francës duke u paraqitur në grumbullimet e kombëtares me veshje nga më të çuditshmet, ekstravagantet dhe të veçantat, do të zhgënjehen para ndeshjeve të këtij muaji në Ligën e Kombeve.

Zinedine Zidane pasoi ish-bashkëlojtarin e tij Didier Deschamps si trajner i Francës, pas një periudhe të gjatë negociatash mes Federatës Franceze të Futbollit (FFF) dhe njërit prej ish-lojtarëve më legjendarë të saj.

Deschamps ishte në krye për 14 vjet dhe e udhëhoqi “Les Bleus” drejt finaleve të njëpasnjëshme të Kupës së Botës në vitet 2018 dhe 2022, duke e fituar të parën, për t’iu shtuar triumfit në Kupën e Botës që ai dhe Zidane e kishin arritur në shtëpi në vitin 1998.

Në pjesën e fundit të epokës së shkëlqyer të Deschamps, lojtarët e Francës krijuan një traditë të pëlqyer, duke u paraqitur në grumbullimet e kombëtares me veshje shumë të veçanta, përpara një turme të madhe fotografësh që i kapnin dhe i shpërndanin në mbarë botën.

Zidane i ka ndaluar kamerat të filmojnë lojtarët teksa mbërrijnë në qendrën legjendare të Francës, Clairefontaine, si një nga rregullat e shumta të vendosura nga trajneri i ri për të lënë gjurmën e tij.

“Ndryshimi i parë lidhet me publikimin e listës së tij të parë të lojtarëve të grumbulluar”, raporton “AS”.

“Ai do të zhvillohet në selinë e Federatës Franceze të Futbollit, por pa kamera. Konferenca për shtyp do të transmetohet vetëm përmes kanaleve të komunikimit të FFF-së. Një tjetër ndryshim i prezantuar nga Zidane është eliminimi i pranisë masive të mediave jashtë Clairefontaine, për të mbuluar dhe transmetuar mbërritjen e lojtarëve të kombëtares franceze në rezidencën e tyre. Kjo ishte një ngjarje e vërtetë, pasi shumë lojtarë mbërrinin të veshur me veshje që ngjallnin debate të gjata në media”, thuhet tutje në raportim.

Rregullat e reja të Zidane për mediat janë vendosur për t’i mbrojtur lojtarët nga vëmendja e tepërt, ndërsa federata ka bërë të qartë se do t’u sigurojë mediave pamje filmike.

Por nuk bëhet fjalë vetëm për kufizim të qasjes. “AS” raporton se gazetarët “mund të kenë qasje” në zonat e përziera sapo të nisë grumbullimi, duke u dhënë atyre qasje më të madhe te lojtarët në krahasim me epokën e Deschamps.

Tre herë fituesi i çmimit Lojtari Botëror i Vitit ka pritur për pesë vjet për të marrë drejtimin nga Deschamps.

Përvoja e tij e mëparshme si trajner përbëhet nga dy periudha në krye të Real Madridit dhe një periudhë me ekipin e tyre Castilla, por suksesi që ai arriti në “Bernabeu” përputhej me lartësitë që kishte arritur atje si lojtar.

Zidane e fitoi dy herë La Ligën si trajner i Real Madridit dhe fillimisht u largua pasi i udhëhoqi ata drejt tri fitoreve radhazi në Ligën e Kampionëve, nga viti 2016 deri më 2018.

Ndeshjet e para të Francës nën drejtimin e trajnerit të ri do të jenë në Ligën e Kombeve, duke nisur me udhëtimin në Turqi të enjten e ardhshme.

“Les Bleus” do të luajnë gjithashtu ndeshjen si mysafirë ndaj Belgjikës dhe në shtëpi ndaj Italisë dhe më pas Belgjikës, para se lojtarët të rikthehen te klubet e tyre në tetor.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark