Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se nga 21 shtatori deri më 2 tetor 2026 do të zhvillohet ushtrimi fushor i përbashkët “Valor Shield 2026”, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe ushtritë partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kroacisë dhe Shqipërisë.
Sipas njoftimit të FSK-së, ushtrimi do të zhvillohet në disa komuna të Kosovës, përfshirë Drenasin, Obiliqin, Fushë Kosovën dhe Prishtinën.
Gjatë periudhës së ushtrimit, qytetarët do të mund të hasin në lëvizje të automjeteve dhe mjeteve të FSK-së nga vendbazimet e saj në drejtim të këtyre komunave.
FSK ka bërë të ditur se këto lëvizje janë pjesë e aktiviteteve të parapara për realizimin e ushtrimit dhe ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët.
“Njoftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se nga data 21 shtator deri më 2 tetor 2026, Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe ushtritë partnere nga SHBA-ja, Kroacia dhe Shqipëria do të realizojnë ushtrimin fushor ‘VALOR SHIELD 2026’”, thuhet në njoftim.
“Gjatë kësaj periudhe do të ketë lëvizje të automjeteve nga vendbazimet e FSK-së në drejtim të komunës së Drenasit, Obiliqit, Fushë Kosovës dhe Prishtinës. Kjo lëvizje do të bëhet me qëllim të realizimit të ushtrimit, andaj kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët”, thuhet më tej në njoftim.