Shkruan: Altin Ahmeti
EULEX, një institucion evropian që zuri vendin e UNMIK-ut dhe rriti në maksimum shpresat për krijimin e një shteti të së drejtës në Kosovë që do të luftonte korrupsionin, brenda një kohe rekord përfundoi në institucionin më të urryer në shtet.
Në vend të korrupsionit dhe krimit të organizuar, ky institucion e ktheu në prioritet gjuetinë e shtrigave, luftimin e Ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Arriti deri aty sa të dënojë komandantin e Zonës së Parë Operative të Drenicës, Sami Lushtakun, edhe pse nuk dihej emri i personit që kishte vrarë dhe kufoma. Absurditet i paparë edhe në shtetet me mungesë ligjshmërie totale në Afrikë.
Edhe UNMIK-u, që qeverisi Kosovën nga 1999 deri në 2008, nuk prodhoi ndonjëherë absurditet të tillë. Në këtë institucion që kishte gjyqtarë nga e gjithë bota, korrektësia megjithatë ishte më e madhe.
Njëlloj si EULEX-i, edhe ky institucion prioritet kishte ndjekjen e UÇK-së, por aty ku nuk kishte fakte, detyrohej t’i lironte. Jo sikurse EULEX-i, që vepronte me urdhra nga lart.
Nga vetë Charles Smith, në kohën kur punonte në EULEX, gjyqtarët morën email-in se personat që po gjykoheshin duhet dënuar, se kështu e kërkonin nga lart.
Charles Smith III ishte gjyqtar i EULEX-it në Kosovë nga viti 2010 deri në vitin 2013. Në vitin 2017, ai u bë një nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Por pikërisht periudha e tij në EULEX është shoqëruar me akuza serioze nga ish-gjyqtari anglez i EULEX-it, Malcolm Simmons.
Në lidhje me rastin “Kleçka”, Simmons pretendoi se në janar 2013 Smith i kishte dërguar një email ku kërkonte që çështja të procedohej shpejt dhe se në të thuhej se kishte “një numër arsyesh, shumica prej tyre politike”.
Simmons publikoi email-e gjithashtu se Smith i kishte thënë se misioni priste dënime.
Nga dokumentet dhe korrespondenca e bëjnë çështjen edhe më të verifikueshme dhe jo thjesht një histori të qarkulluar në media.
Çfarë ndodhi me njerëzit e EULEX-it kur u krijuan Dhomat e Specializuara të Kosovës?
Simon’s u përjashtua ngq Eulex ndërsa Smith vazhdoi karrierën.
Smith nuk ishte i vetmi person në EULEX që kaloi në institucionin e ri.
Në krye të Dhomave të Specializuara u vendos Ekaterina Trendafilova, juriste bullgare dhe ish-gjyqtare e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Trendafilova nuk ishte gjyqtare e EULEX-it.
Por emërimi i saj ka një lidhje të drejtpërdrejtë me EULEX-in: më 14 dhjetor 2016, ajo u emërua presidente e Dhomave të Specializuara nga shtetasja greke Alexandra Papadopoulou, e cila në atë kohë ishte shefe e EULEX-it në Kosovë.
Pra, në krijimin e strukturës së re gjyqësore ekziston një vazhdimësi e dokumentuar institucionale, pasi disa prej figurave të rëndësishme të sistemit të mëparshëm ndërkombëtar në Kosovë vazhduan në institucionin e ri.
Edhe ata që kishin deklaruar se shqiptarët duheshin dënuar sepse ishin kafshë.
Por në rastin e Trendafilovës ka edhe një histori shumë më të hershme që meriton vëmendje.
Ajo ka lindur në Sofje në vitin 1953. Në vitin 1984 mori doktoraturën në drejtësi. Në vitet 1985–1989 ishte zëvendësprokurore në Sofje.
Por para kësaj, në vitet 1983 dhe 1985, ajo kishte kryer dy specializime në Moskë, në Institutin e Shtetit dhe së Drejtës të Akademisë së Shkencave të BRSS.
Ky fakt gjendet në CV-në zyrtare të saj të dorëzuar për kandidaturën në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Dhe këtu shfaqet një tjetër element i pazakontë.
Në vitin 2001, Trendafilova dhe profesoresha Tsanka Tsankova përgatitën një studim prej 158 faqesh mbi inteligjencën, kundërzbulimin dhe shërbimet speciale, me kërkesë të Komisionit të Përhershëm për Sigurinë Kombëtare të Parlamentit bullgar.
Pra kemi një juriste që më 1983 shkon për specializim në Moskë, më 1985 rikthehet për një tjetër specializim në Moskë dhe më 1985–1989 punon si prokurore në Bullgarinë komuniste. Kjo në vitin 2001 përgatit një studim të specializuar mbi inteligjencën dhe kundërzbulimin për komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare.
Ekziston një tjetër element që duhet kontrolluar me kujdes.
Emri i plotë Ekaterina Panayotova Trendafilova-Bachvarova është shfaqur në dokumentacionin e verifikimit bullgar për përkatësi ndaj ish-shërbimeve të sigurimit.
Rezultati i publikuar është “përkatësi e paidentifikuar”, jo konstatim se ishte bashkëpunëtore e Darzhavna Sigurnost.
Po çfarë bëri saktësisht në Moskë në vitet 1983 dhe 1985? Cili ishte programi i specializimit? Kush e financoi? Kush e dërgoi nga Bullgaria? Me cilët profesorë sovjetikë punoi?
A ishte program akademik për juristë apo program shtetëror?
Ivan Iankov, që është identifikuar zyrtarisht si ish-bashkëpunëtor i Darzhavna Sigurnost të Bullgarisë, kërkoi nga Komisioni bullgar i dosjeve të bëjë publike Dosjen e Trendafilovës, më 4 shtator 2007. Ai vetë kishte qenë agjent i DS-së nga 1978 deri më 1980, me pseudonimin “Kirillov”.
Kjo është veçanërisht interesante për rastin Trendafilova, sepse personi që në vitin 2007 kërkonte të kontrollohej dokumentacioni i DS-së për një listë juristësh, përfshirë Trendafilovën, ishte vetë një person me një të kaluar të dokumentuar si bashkëpunëtor i DS-së.
Të gjithë gjyqtarët e dëgjueshëm, 7 nga 19 gjyqtarë që kishin punuar në EULEX vazhduan në Gjykatën Speciale. Përfshirë edhe rojën që kontrollonte të burgosurit, doli më vonë në rolin e Prokurorit.
Dhomat e Specializuara nuk morën fare parasysh aktgjykimet e Tribunalit Ndërkombëtar të ish-Jugosllavisë, në rastin Limaj dhe Haradinaj, ku nuk u vërtetua përgjegjësia komanduese në një nivel më të ulët të operimit të UÇK-së, fakt ky që na lë të kuptojmë se kjo Gjykatë Speciale, ashtu si u nis, ashtu edhe u bitis.
U nis si diversion ruso-serb me Dik Martyn në krye dhe përfundoi me të shantazhuarin e Trendafilovës, Charles Smithin.