Insajderi
Lajme

Hasani rrëfen veprimtarinë me Adem Beqirin: I shpëtuam me dhjetëra ushtarë nga lufta serbe

Insajderi
19 September 2026 - 19:21
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Hasani rrëfen veprimtarinë me Adem Beqirin: I shpëtuam me dhjetëra ushtarë nga lufta serbe
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në mesin e 23 personave, mbetjet mortore të të cilëve janë zhvarrosur së fundmi në Mitrovicë, janë identifikuar edhe tre veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare: Adem Beqiri, Idriz Rrecaj dhe Salih Meziu.

Për jetën dhe veprimtarinë e Adem Beqirit ka rrëfyer një nga njerëzit e tij më të afërt, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, profesor Enver Hasani.

Hasani ka rrëfyer se si gjatë viteve të 90-ta, bashkë me Beqirin, organizuan një rrjet për nxjerrjen e ushtarëve kroatë, boshnjakë e shqiptarë nga kazermat serbe të Mitrovicës për t’i shpëtuar nga dërgimi në luftë.

Sipas Hasanit, pasi i merrnin natën nga kazermat, ata i strehonim për javë të tëra në fshatrat e Mitrovicës derisa t’u rriteshin flokët e qethura nga ushtria serbe, u siguronin dokumente të falsifikuara dhe i nxirrnin jashtë Kosovës, kryesisht drejt Shkupit apo përmes Ujmanit, me të gjitha shpenzimet e mbuluara nga vetë Beqiri.

Hasani e ka cilësuar Beqirin si aktivist të paepur të LDK-së që nga ditët e para të themelimit, duke theksuar se ai nuk kurseu asgjë nga pasuria e tij për çështjen kombëtare, derisa u vra në mënyrë të planifikuar nga shteti serb si hakmarrje për rezistencën e tij.

Ai ka qenë sekretar i Degës së LDK-së në Mitrovicë, ndërsa Beqiri, sipas tij, ishte aktivist i nëndegës “Qendra”.

“Me Ademin, sa kam qenë në Kosovë, vetëm gjumi më ka ndarë”, ka rrëfyer Hasani.

Ai ka thënë se kontributi i Beqirit nuk mund të përmblidhet në një intervistë, duke shprehur shpresën që një ditë të realizohet një dokumentar për grupin e intelektualëve të vrarë të Mitrovicës.

Duke folur për rëndësinë e identifikimit të mbetjeve mortore, Hasani ka thënë se bëhet fjalë për një fragment të historisë së dhimbshme të Kosovës.

“Megjithatë, ka një peshë shumë të madhe, sepse dëshmon për terrorin masiv shtetëror serb ndaj inteligjencës së Kosovës”, ka deklaruar ai.

Hasani ka treguar se ka njohur nga afër pothuajse të gjithë personat që, sipas tij, supozohet se janë varrosur në varrezën masive të zbuluar së fundmi.

Në mesin e tyre, ai ka përmendur edhe Idriz Rrecin, me të cilin kishte qenë mik, i cili po ashtu është identifikuar në mesin e 23 personave nga zhvarrimet në Mitrovicë.

“Me Idriz Rrecin për herë të fundit jemi takuar në fshatin Uçë të Istogut, në varrimin e tre dëshmorëve të vrarë në mbrojtje të shkollës shqipe”, ka treguar Hasani.

Ai ka rrëfyer se atë ditë, si sekretar i LDK-së për Mitrovicë, ndërsa Rreci si kryetar i LDK-së për Skenderaj, kishin mbajtur fjalimet mortore.

Në fund, Hasani u ka bërë thirrje familjeve të personave të zhdukur që të qëndrojnë të forta dhe krenare për të afërmit e tyre.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark