Insajderi
Lajme

PDK kërkon ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara – ky është dokumenti

Insajderi
21 September 2026 - 11:43
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
PDK kërkon ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara – ky është dokumenti
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Partia Demokratike e Kosovës ka iniciuar hapat zyrtarë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes projektligjit të dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, PDK kërkon rishikimin e kuadrit ligjor që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara.

Nisma është mbështetur në nenin 65, pika 1, të Kushtetutës së Kosovës.

Në dokumentin e projektligjit, PDK i referohet edhe Amendamentit nr. 24 të Kushtetutës dhe Aktgjykimit KO26/15 të Gjykatës Kushtetuese, të 14 prillit 2015.

Sipas projektligjit, këto dokumente përcaktojnë bazën kushtetuese mbi të cilën janë themeluar Dhomat e Specializuara si pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës.

PDK i referohet gjithashtu Shkëmbimit të Letrave të vitit 2014, të ratifikuar përmes Ligjit Nr. 04/L-274, ndërmjet Presidentit të Kosovës dhe Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian.

Në projektligj theksohet se, sipas kësaj marrëveshjeje, strukturat gjyqësore duhet t’i nënshtrohen kontrollit kushtetues dhe ligjeve të Kosovës.

Një tjetër dokument të cilit i referohet nisma është Raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dokumenti 12462 i 7 janarit 2011, lidhur me pretendimet për trajtim çnjerëzor dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë.

Përmes ndryshimeve të propozuara, PDK kërkon përshtatjen e bazës ligjore që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara, duke vënë theksin te kontrolli kushtetues dhe respektimi i kuadrit ligjor të Kosovës.

Nisma e PDK-së vjen pas aktgjykimit të fundit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku të njëjtit u dënuan me 81 vjet burgim.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark