Fëmijët e lindur me infeksione të transmetuara nga nëna gjatë shtatzënisë mund të kenë rrezik dukshëm më të lartë për t’u diagnostikuar më vonë me autizëm dhe aftësi të kufizuara intelektuale, sipas një studimi të ri të kryer në Suedi.
Studimi, i cili përfshiu rreth 3.7 milionë persona të lindur në Suedi nga viti 1987 deri më 2021, analizoi lidhjen mes infeksioneve të lindura, të njohura si TORCH, dhe zhvillimit të mëvonshëm neurologjik e arsimor, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Nga pjesëmarrësit, 975 ishin diagnostikuar me një infeksion kongjenital TORCH. Studiuesit i ndoqën ata për periudha deri në tri dekada, për të vlerësuar nëse këto infeksione shoqëroheshin me diagnoza të autizmit, aftësi të kufizuara intelektuale apo rezultate më të dobëta në arsim.
Sipas gjetjeve, fëmijët e lindur me një infeksion TORCH kishin rreth tre herë më shumë gjasa të diagnostikoheshin me autizëm dhe më shumë se shtatë herë më shumë gjasa për aftësi të kufizuara intelektuale, krahasuar me fëmijët që nuk kishin këto infeksione.
Rreziku ishte edhe më i lartë për format e rënda të aftësive të kufizuara intelektuale. Sipas studimit, rreziku për aftësi të kufizuara intelektuale të rënda deri në të thella ishte deri në 30 herë më i lartë te fëmijët e prekur nga infeksionet TORCH.
Cilat infeksione përfshihen te TORCH?
TORCH është një grup infeksionesh që mund të transmetohen nga gruaja shtatzënë te fetusi. Në këtë grup përfshihen sifilizi, rubeola, toksoplazmoza, citomegalovirusi (CMV) dhe herpesviruset.
Këto infeksione mund të kalojnë përmes placentës dhe, në varësi të infeksionit dhe momentit të shtatzënisë kur ndodh infektimi, mund të shkaktojnë komplikime të ndryshme, përfshirë abortin, lindjen e foshnjës pa shenja jete dhe probleme të zhvillimit.
“Megjithëse këto infeksione kongjenitale janë të rralla, disa prej tyre mund të parandalohen, gjë që i bën të rëndësishme nga perspektiva e shëndetit publik”, tha Reneé Gardner, hulumtuese në Departamentin e Shëndetit Publik Global në Institutin Karolinska, e cila kontribuoi në studim.
Studiuesit theksuan se këto infeksione përbëjnë vetëm një pjesë shumë të vogël të rasteve të autizmit në popullatë. Megjithatë, te fëmijët që preken nga një infeksion i tillë, rreziku për autizëm dhe aftësi të kufizuara intelektuale është dukshëm më i lartë.
Sipas autorëve, rreth një në pesë fëmijë të lindur me një infeksion TORCH mund të zhvillojë më vonë autizëm.
Edhe rezultatet në shkollë mund të ndikohen
Studimi evidentoi gjithashtu ndikime në rezultatet arsimore. Rreth 420 persona të diagnostikuar me një infeksion TORCH kishin rezultate më të dobëta në shkollë, edhe pse nuk ishin diagnostikuar me autizëm apo aftësi të kufizuara intelektuale.
Studiuesit vunë në dukje se infeksionet TORCH ndryshojnë për nga përhapja dhe mënyra e transmetimit. Ndër më të zakonshmet në nivel global është citomegalovirusi kongjenital (CMV), i cili prek rreth një në 150 të porsalindur.
Autorët e studimit kërkuan forcimin e masave parandaluese, përfshirë vaksinimin për infeksionet për të cilat ekzistojnë vaksina, si dhe përmirësimin e identifikimit të rasteve gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes.
Sipas tyre, sistemet aktuale mund të mos identifikojnë të gjitha rastet, veçanërisht foshnjat që nuk shfaqin simptoma. Për këtë arsye, studiuesit argumentojnë se nevojiten strategji më të mira për zbulimin e infeksioneve kongjenitale.