Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), është duke intensifikuar aktivitetet inspektuese për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit në fushën e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, ekipet inspektuese të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), gjatë ditës së sotme, kanë realizuar inspektime në subjekte ekonomike në rajonet e Prishtinës dhe Gjilanit, me fokus të veçantë te bizneset që ushtrojnë veprimtari të fotokopjimit, riprodhimit dhe shpërndarjes së materialeve të mbrojtura nga e drejta e autorit.
Qëllimi i këtyre inspektimeve është verifikimi i respektimit të kërkesave ligjore gjatë riprodhimit dhe përdorimit të materialeve të mbrojtura, si dhe parandalimi i përdorimit, riprodhimit apo shfrytëzimit të paautorizuar të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit.
“Përmes këtyre aksioneve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) dhe Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) synojnë të kontribuojnë në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të autorëve dhe titullarëve të të drejtave, në rritjen e ndërgjegjësimit të operatorëve ekonomikë dhe në krijimin e një tregu ku veprimtaria ekonomike zhvillohet në mënyrë të ligjshme”, thuhet në njoftim.