Kryeministri Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar takim me të dërguarën e posaçme të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.
Kurti përmes një postimi në ‘Facebook’ thotë se në takim me të përmendi edhe aktgjykimin dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK’së, shkruan Insajderi.
“Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, deklaroi ai.
Ndër të tjera, Kurti tha se me të bisedoi për zhvillimet politike e të sigurisë, marrëdhëniet Kosovë–Serbi, shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës
“Me Mbretërinë e Bashkuar na lidh historia e çlirimit dhe shtetndërtimit, por edhe e ardhmja jonë e përbashkët euroatlantike. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, statusi i vendit kandidat për BE-në dhe thellimin e bashkëpunimit në siguri e mbrojtje ishin po ashtu pjesë e diskutimit të sotëm me znj. Pierce”. /Insajderi.org/
.