Insajderi
Lajme

Kurti nga New York-u kërkon bazë të përhershme ushtarake të Bondsteel-it

Insajderi
23 September 2026 - 13:16
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Kurti nga New York-u kërkon bazë të përhershme ushtarake të Bondsteel-it
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një takim në New York me kongresistin amerikan George Latimer, ka kërkuar që SHBA-ja ta bëjë të përhershme bazën e ‘Bondsteel’-it.

Në njoftimin që e ka lëshuar Kurti në ‘Facebook’, thuhet se me Latimer diskutuan anëtarësimin e Kosovës në NATO. Pos tjerash, Kurti tha se ritheksoi qëndrimin e tij për kthimin e bazës ‘Bondsteel’ në bazë të përhershme ushtarake, shkruan Insajderi.

“Diskutuam për zhvillimin ekonomik, përparimin në siguri, forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë bashkëpunimin në mbrojtje dhe zhvillim. Ritheksova qëndrimin tonë që Kampi ‘Bondsteel’ të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon”, thuhet në njoftim.

Kurti pos tjerash ka thënë se me kongresistin amerikan diskutuan edhe për personat e zhdukur në luftën në Kosovë dhe rëndësinë e hapjes së arkivave nga Serbia.

“Biseduam për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, varrezat masive, rëndësinë e deklasifikimit të dokumentacionit dhe hapjes së arkivave nga Serbia si dhe nevojën për drejtësi për krimet e kryera. E sikurse në takimet tjera folëm për diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, vijon Kurti.

Kurti pos tjerash tha se me kongresistin Latimer ngritën çështjen e Milan Radoiçiqit dhe dorëzimin e tij para drejtësisë së Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë i çmuar. Jemi thellësisht mirënjohës për miqësinë tonë të qëndrueshme dhe mbështetjen dypartiake që shteti ynë gëzon në Kongresin amerikan”, përmbyll njoftimin ai. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark