Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e PDK-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të Kuvendit dhe Qeverisë.
Gruda ka thënë se vendimi i Kushtetueses, sipas tij, ka konfirmuar qëndrimet që PDK-ja i ka mbajtur gjatë kësaj periudhe.
Sipas tij, Gjykata ka konstatuar se Kuvendi është dashur të konstituohej brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh.
“Afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Pra, LVV-ja nuk mund t’i zhvendosë afatet kushtetuese sipas interesit të saj politik dhe ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve më 27 dhjetor, siç ka synuar”, ka shkruar Gruda.
Ai ka theksuar gjithashtu se, sipas tij, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së duhet të zgjidhet dhe se kjo pozitë nuk mund të anashkalohet.
Gruda ka thënë se tash kanë mbetur 13 ditë për të ndërmarrë veprime, duke përfshirë edhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Tani kemi vetëm 13 ditë kohë për të vepruar: për t’i miratuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, për ta zgjedhur Presidentin e Republikës dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja. Koha është e kufizuar dhe përgjegjësia tashmë është e qartë”, ka deklaruar ai.
Gruda ka thënë se vendimi i Kushtetueses, sipas tij, konfirmon se “afatet kushtetuese nuk janë çështje vullneti politik dhe Kushtetuta nuk mund të përshtatet sipas interesave të momentit”.