Insajderi
Lajme

Pengimi i drejtësisë, ZPS kërkon që Thaçit të mos i llogaritet koha në paraburgim – kërkon gjashtë vjet burgim

Insajderi
25 September 2026 - 12:48
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Pengimi i drejtësisë, ZPS kërkon që Thaçit të mos i llogaritet koha në paraburgim – kërkon gjashtë vjet burgim
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria e Specializuar e Hagës ka kërkuar që ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të mos i llogaritet koha e kaluar në paraburgim në rastin për pengim të drejtësisë.

Kërkesa është paraqitur në dosjen finale të ZPS-së në çështjen “12”, ku Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë po përballen me akuza për vepra që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Sipas Prokurorisë, koha që Thaçi ka kaluar në paraburgim duhet të llogaritet vetëm në kuadër të çështjes “06”, në të cilën ai është dënuar me 25 vjet burgim.

ZPS-ja i është referuar Rregullës 163(6), sipas së cilës të akuzuarit kanë të drejtë që t’u llogaritet koha e kaluar në paraburgim para dënimit. Megjithatë, Prokuroria argumenton se në rastin e Thaçit ekzistojnë dy fletarrestime të veçanta.

Sipas ZPS-së, Thaçi është në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020 në kuadër të çështjes “06”, ndërsa nga nëntori i vitit 2024 edhe në kuadër të procedurës aktuale për pengim të drejtësisë.

Në kërkesën drejtuar gjyqtarit vendimmarrës, Prokuroria i është referuar edhe një vendimi të Dhomës së Apelit në çështjen “Bemba et al.”, ku është konstatuar se kur një i akuzuar ka kaluar kohë në paraburgim si rezultat i fletarrestimeve në çështje të ndryshme, ajo kohë mund të merret parasysh vetëm një herë.

“Prandaj, duke qenë se gjatë tërë këtyre procedurave THAÇI ka qenë gjithashtu i paraburgosur në lidhje me akuzat në Çështjen 6, çdo kreditim për kohën e kaluar në paraburgim duhet të zbritet vetëm nga dënimi i tij në atë çështje”, thuhet në kërkesën e ZPS-së.

Në çështjen “12”, Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin.

Nëse gjykata do ta pranonte kërkesën e ZPS-së për mënyrën e llogaritjes së paraburgimit, dhe nëse Thaçi do të dënohej me gjashtë vjet burgim në këtë çështje, koha e paraburgimit nuk do të zbritej nga ky dënim, por vetëm nga dënimi prej 25 vjetësh në çështjen “06”.

Për të akuzuarit e tjerë në këtë rast, ZPS-ja ka kërkuar tre vjet burgim për Bashkim Smakajn, tre vjet për Isni Kilajn, tre vjet për Fadil Fazliun dhe nëntë muaj burgim për Hajredin Kuçin.

Kërkesa e Prokurorisë tashmë i është dorëzuar gjyqtarit vendimmarrës, i cili pritet të vendosë lidhur me çështjen.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark