Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara do të trajtohet me prioritet.
Haxhiu tha se, pasi e ka pranuar projektligjin, ai është proceduar në Qeveri. Ajo shtoi se për këtë çështje ka komunikuar edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Në momentin kur kam pranuar projektligjin, e kemi proceduar në Qeveri. Kam qenë në komunikim me kryeministrin Kurti, u zotova edhe në mbledhje, që projektligji të trajtohet me prioritet, sidomos që tani i kemi ditët e numëruara”, tha Haxhiu.
Ajo kritikoi faktin që, sipas saj, ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së nuk janë konsultuar për këtë iniciativë ligjore.
“Çfarëdo iniciative ligjore, ekipet mbrojtëse nuk janë konsultuar dhe mendoj që është gabim”, tha ajo.
Haxhiu foli edhe për situatën politike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se deri më 6 tetor duhet të zgjidhet presidenti, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Ajo u bëri thirrje të gjithë akterëve politikë që të kontribuojnë që vendi të mos shkojë në zgjedhje.
“Është e rëndësishme që secili prej nesh të japë kontribut që të mos shkojë vendi në zgjedhje, sidomos kur flasim për procesin në Hagë. Nuk i ndihmojmë as Kosovës, as qytetarëve që po protestojnë në mënyrë paqësore, por as atyre që janë në Hagë”, deklaroi Haxhiu.