Në Kuvendin Komunal të Prishtinës po diskutohet Rregullorja për Tarifa e Kryeqytetit, e cila parasheh edhe vendosjen e një tarife prej 2 eurosh për veturat që hyjnë në zonën “Qendër”.
Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk e mbështet këtë masë, duke kërkuar ndryshimin e rregullores.
Propozimin për vendosjen e tarifës e ka mbrojtur drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Inovacionit në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha.
Braha ka thënë se masa të tilla janë zbatuar në rreth 600 qytete në botë, duke përmendur si shembuj kryeqytetin e Sllovenisë dhe Shqipërisë.
Sipas tij, qytetarët mund të kenë qasje në parkingun e Pallatit të Rinisë pa u tarifuar.
Në anën tjetër, edhe Nexhmije Gjema nga Vetëvendosje ka kundërshtuar vendosjen e tarifës.
Ajo ka thënë se krijimi i një zone të tillë “e ngulfat edhe më shumë qytetin”.
“Nëse automjetet nuk lejohen të kalojnë nëpër këtë zonë, do të gjejnë rrugë alternative dhe kështu do të rritet edhe më shumë ndotja e ajrit, sepse do të krijohet më shumë tollovi e kësisoj do të qëndrojnë makinat më shumë ndezur”, ka deklaruar Gjema.
Ndërkohë, Arbenita Murseli nga Lidhja për Prishtinën ka propozuar që targat e automjeteve të Prishtinës të ndërrohen nga numri identifikues “01” në “10”.
Sipas saj, kjo do të mundësonte identifikimin e banorëve të Prishtinës nga ata të komunave përreth që përdorin targat me “01”, duke shmangur nevojën për kufizime për banorët e kryeqytetit.