Pjesëtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), së bashku me pjesëtarë të Policisë së Kosovës, do të zhvillojnë sot një stërvitje të përbashkët për kontrollin e turmave dhe trazirave.
Stërvitja do të zhvillohet në kompleksin e EULEX-it, në zonën industriale të Prishtinës, dhe është pjesë e aktiviteteve të rregullta të reaguesve të sigurisë në Kosovë.
Gjatë ushtrimit është paraparë dislokimi i personelit dhe pajisjeve në zonën e stërvitjes. Sipas njoftimit, qëllimi i këtij ushtrimi është avancimi i gatishmërisë operacionale, si dhe forcimi i bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërmjet reaguesve të sigurisë.
Stërvitja do të zhvillohet në përputhje me standardet evropiane dhe synon rritjen e koordinimit ndërmjet EULEX-it dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë.