Insajderi
Lajme

Kush mund ta ndalë këtë Spanjë? 39 ndeshje pa humbje, 51 për Fabián Ruiz

Insajderi
29 September 2026 - 12:05
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Kush mund ta ndalë këtë Spanjë? 39 ndeshje pa humbje, 51 për Fabián Ruiz
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ylli i dytë i fituar nga Spanja nuk është i vetmi rekord i rëndësishëm i arritur nga kombëtarja e drejtuar nga Luis de la Fuente gjatë muajve të fundit.

Pas fitores në Wembley ndaj Anglisë, “La Roja” e ka shkruar një kapitull të ri në historinë e saj, duke u bërë, sipas të dhënave të FIFA-s, kombëtarja me serinë më të gjatë të ndeshjeve radhazi pa humbje.

Fitorja 3-2 ndaj Anglisë ia ka mundësuar Spanjës ta çojë serinë pozitive në 39 ndeshje, duke e thyer rekordin e mëparshëm të Italisë, e cila kishte qëndruar në kuotën e 37 ndeshjeve pa humbje gjatë periudhës 2018-2021, shkruan “Gazeta Express”.

Ky rekord e konfirmon vazhdimësinë e një skuadre që vitet e fundit ka dominuar në kompeticionet kryesore, nga Kupa e Botës, Kampionati Evropian dhe Liga e Kombeve.

Humbja e fundit e Spanjës daton nga miqësorja ndaj Kolumbisë në Londër, ku Daniel Muñoz e shënoi golin e vetëm të takimit për fitoren 1-0 të amerikano-jugorëve.

Që nga ajo ndeshje, skuadra e De la Fuentes i ka regjistruar 30 fitore dhe 9 barazime, duke kaluar edhe serinë e Argjentinës kampione bote, e cila kishte arritur në 36 ndeshje pa humbje përpara disfatës nga Arabia Saudite në Botërorin 2022.

Fabián Ruiz, 51 ndeshje pa humbje me Spanjën

Pas kësaj ecurie të jashtëzakonshme të Spanjës qëndron edhe forma e disa prej protagonistëve kryesorë të saj.

Mes tyre spikat Fabián Ruiz, i cili vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm, ku e fitoi Ligën e Kampionëve me Paris Saint-Germain dhe Kupën e Botës me Spanjën, ndërsa është edhe njëri prej kandidatëve për “Topin e Artë”.

Mesfushori i PSG-së e ka regjistruar gjithashtu një rekord personal.

Që nga debutimi i tij me kombëtaren në vitin 2019, Fabián Ruiz ka arritur në 51 ndeshje radhazi pa humbje me fanellën e Spanjës.

Në këtë klasifikim, përpara tij është vetëm Carlos Marchena, kampion i botës në vitin 2010, i cili i kishte regjistruar 57 ndeshje pa humbje me Spanjën gjatë periudhës 2002-2012.

Një tjetër rekord që e dëshmon momentin e artë të futbollit spanjoll. 


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark