Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar trupin gjykues të Apelit që do të merret me çështjen që lidhet me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët Michèle Picard, Kai Ambos dhe Nina Jørgensen, të cilët janë caktuar më 22 shtator nga kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
Sipas Dhomave të Specializuara, ky trup do të vendosë lidhur me kërkesën e ekipeve të mbrojtjes për zgjatjen e afatit për paraqitjen e njoftimit për apel, si dhe për parashtresat e palëve që lidhen me një njoftim për apel kundër aktgjykimit.
“Presidentja e Dhomave të Specializuara, gjyqtarja Ekaterina Trendafilova, caktoi një Trup Gjykues të Apelit për të vendosur lidhur me kërkesën e ekipeve të mbrojtjes për zgjatjen e afatit për paraqitjen e njoftimit për apel, si dhe për të gjitha parashtresat e cilësdo palë që lidhen me një njoftim për apel kundër Aktgjykimit të Gjykimit në këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara.
Në vendimin për caktimin e trupit gjykues, sipas Speciales, janë marrë parasysh kriteret e përcaktuara në Rregullën 4 të Rregullores për Caktimin e Gjyqtarëve, përfshirë përvojën dhe ekspertizën përkatëse, si dhe disponueshmërinë e gjyqtarëve.
Caktimi i trupit gjykues vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe hapjes së procedurave të mëtejshme në kuadër të procesit të apelit.

