Ambasada e Rusisë në Belgjikë ka akuzuar NATO-n se po zhvillon një fushatë informuese për të krijuar, sipas saj, një perceptim të rremë mbi një kërcënim të mundshëm rus ndaj vendeve baltike.
Në një deklaratë të publikuar nga ambasada ruse, pretendohet se Aleanca po përhap informacione që Moska i konsideron të pabazuara lidhur me mundësinë e një sulmi rus ndaj njërit prej shteteve baltike deri në vitin 2029, apo edhe më herët.
“Aleanca po zhvillon një fushatë informuese në shkallë të gjerë për të ushqyer mitin e ‘kërcënimit rus’”, thuhet në deklaratë.
Sipas Ambasadës Ruse, planet për evakuimin ndërkufitar të popullsisë në rast të një krize të rëndë janë pjesë e kësaj qasjeje.
Në deklaratë përmenden edhe qëndrimet e përsëritura të zyrtarëve rusë se Rusia nuk ka, sipas tyre, synime për të ndërmarrë veprime ushtarake ndaj vendeve të NATO-s.
Ambasada pretendon gjithashtu se është injoruar propozimi i Moskës për formalizimin me shkrim të garancive të ndërsjella të sigurisë me vendet anëtare të NATO-s.
“Ne u kemi bërë thirrje vendeve anëtare të Aleancës që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e mëtejshme që mund ta përkeqësojnë situatën, me qëllim shmangien e një përplasjeje në shkallë të gjerë”, thuhet në deklaratë.
Ambasada ruse bëri të ditur se qëndrimet e saj lidhur me këtë çështje ua ka përcjellë Sekretariatit Ndërkombëtar të NATO-s dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Belgjikës.