Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka njoftuar se bashkë me deputeten Sala Jashari janë larguar në mënyrë demonstrative nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, pas konstituimit të tij.
Behrami tha se largimi lidhet me gjendjen aktuale pas vendimit të Dhomave të Specializuara për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së.
“Flamuri i Kosovës dhe i UÇK-së janë në gjysmë shtize. Prandaj, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës nuk mund të simulojnë normalitet”, deklaroi Behrami.
Ai tha se për PDK-në nuk ka çështje më të rëndësishme sesa ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
“Nuk ka asnjë temë, asnjë ligj, asnjë vendim, asnjë qëndrim, asnjë kauzë më të rëndësishme sesa ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës”, tha ai.
Ndërkohë, përplasje pati edhe në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar rendin e ditës, pasi në të nuk është përfshirë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
PDK-ja ka kërkuar vazhdimisht që Kuvendi të trajtojë ndryshimin e këtij ligji, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.