Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka paralajmëruar se do të ndërmerren hapa të tjerë nëse Qeveria e Kosovës nuk miraton ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Po, është e vërtetë. Nëse nuk miratohet ligji për plotësim-ndryshim të Ligjit për Gjykatën Speciale, ne nuk do të qëndrojmë duarkryq. Ne do të formojmë hapa tjerë, ku në ditët e vikendit do të ulemi në bisedë kryesia dhe Këshilli, bashkërisht me dy shoqatat tjera, shoqata e mbajtësve dhe dëshmorëve”, ka deklaruar Gucati.
Ai ka bërë të ditur se një nga mundësitë që po diskutohet është edhe vendosja e tendave para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
“Do t’ia vështirësojmë punën Qeverisë. Ne do të tentojmë, nëse nuk reflekton. Një nga shembujt, do të qëndrojmë me tenda para Qeverisë. Tani do ta shohim ditëve në vijim, kjo është diskutuar”, tha Gucati.
Ndërkohë, Gucati ka deklaruar se protesta e 1 tetorit në Prishtinë do të jetë gjithëpopullore, duke bërë thirrje për pjesëmarrje të veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës.
Sipas tij, organizatorët kanë zhvilluar takime në vazhdimësi gjatë dy javëve të fundit, me qëllim të mobilizimit të qytetarëve dhe sigurimit të një pjesëmarrjeje sa më të gjerë në protestë.