Insajderi
Lajme

Von der Leyen: Aktgjykimi në Hagë ka të bëjë me përgjegjësinë individuale, rezistenca e Kosovës nuk ishte në gjykim

Insajderi
01 October 2026 - 15:00
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Von der Leyen: Aktgjykimi në Hagë ka të bëjë me përgjegjësinë individuale, rezistenca e Kosovës nuk ishte në gjykim
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se asgjë nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, ndërsa ka theksuar se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve.

Ajo ka vlerësuar reagimin e matur të institucioneve dhe liderëve politikë të Kosovës, duke bërë thirrje për respektimin e mandatit të institucioneve gjyqësore.

Gjatë deklarimit të saj, Von der Leyen ka rikujtuar represionin dhe krizën humanitare të vitit 1999, ndërsa ka theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kosovën.

“Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. Viti 1999 është i ngulitur në kujtesën kolektive të Evropës: represioni i dhunshëm, kriza humanitare dhe vuajtjet që ka përjetuar populli juaj”, tha ajo.

Ajo ka përmendur ndihmën financiare dhe mbështetjen e BE-së për rindërtimin, zhvillimin ekonomik dhe reformat në Kosovë.

Duke folur për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara, von der Leyen ka theksuar se të akuzuarit kanë të drejtë ankese, ndërsa ka kërkuar respektimin e vendimeve të institucioneve të pavarura gjyqësore.

“Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të forta. E vlerësoj reagimin tuaj të matur, si dhe atë të liderëve të tjerë politikë, të cilët kanë bërë thirrje për qetësi. Ky aktgjykim është nxjerrë nga institucione të pavarura gjyqësore dhe mandati i tyre duhet të respektohet plotësisht. Të akuzuarit tani kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë”, tha ajo.

Ajo ka theksuar se aktgjykimi nuk e vë në gjykim rezistencën e Kosovës, por ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve. Po ashtu, ka bërë thirrje që kujtimi i viktimave nga të gjitha komunitetet të jetë pjesë e rrugëtimit drejt pajtimit.

“Por, një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve. Rezistenca e Kosovës nuk ishte në gjykim dhe ne duhet ta nderojmë kujtimin e të gjitha viktimave, nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Kujtimi i tyre duhet të mbetet pjesë e rrugëtimit të Kosovës drejt pajtimit dhe një të ardhmeje të përbashkët.

Kjo më çon te pika ime e dytë: rëndësia thelbësore e stabilitetit institucional. Është formuar një Kuvend dhe një Qeveri e re. Kjo është pozitive”, tha ajo.

Në vijim, presidentja e Komisionit Evropian ka theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional dhe zgjedhjes së presidentit, duke vlerësuar se dialogu ndërmjet partive politike është i mundur.

“Hapi i radhës është zgjedhja e presidentit dhe, gjatë javëve dhe ditëve të fundit, kemi parë se dialogu ndërmjet partive politike është i mundur. Ju duhet ta shfrytëzoni këtë mundësi dhe të vazhdoni në këtë drejtim, sepse stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje tjetër: i reformave, rritjes ekonomike dhe përparimit në rrugën tuaj evropiane. Kjo më çon te pika ime e tretë: e ardhmja evropiane e Kosovës. E kam thënë edhe më parë dhe po e përsëris: besoj fuqishëm në të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha ajo.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark