Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim për shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj.
Vendimi për shkarkimin e Isufajt është marrë me 6 vota për dhe 1 kundër.
Blerim Isufaj e ka drejtuar Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës që nga viti 2019, ndërsa gjatë karrierës së tij ka shërbyer edhe si prokuror special dhe në pozita të tjera brenda sistemit prokurorial.
Gjatë periudhës së drejtimit të tij, PSRK ka trajtuar disa prej dosjeve më të mëdha dhe më të ndjeshme në vend, përfshirë rastet e krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve të luftës.
Një nga rastet më të bujshme ishte aktakuza për sulmin terrorist në Banjskë, e ngritur në shtator të vitit 2024 ndaj 45 personave, përfshirë Milan Radoiçiqin. Të akuzuarit ngarkohen, ndër të tjera, me vepra penale që lidhen me terrorizmin, financimin e terrorizmit dhe shpëlarjen e parave.
PSRK, gjatë kësaj periudhe, ka ngritur edhe aktakuza për krime të luftës të kryera gjatë vitit 1999, përfshirë një rast ndaj 21 personave, të cilët dyshohet se kanë pasur role komanduese në strukturat serbe gjatë luftës.