Shqipëria ka pësuar një goditje të madhe në përballjen ndaj Finlandës, pasi ka mbetur me një futbollist më pak në fushë.
Në minutën e 22-të, portieri Etrit Berisha u ndëshkua direkt me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër jashtë zonës së rreptësisë, duke lënë kuqezinjtë në inferioritet numerik.
Trajneri i Shqipërisë u detyrua të reagojë menjëherë, duke larguar një futbollist nga loja dhe duke inkuadruar portierin Alen Sherri.
Por Finlanda nuk vonoi për ta shfrytëzuar epërsinë. Vetëm pak çaste pas përjashtimit të Berishës, vendasit fituan një goditje të lirë, ndërsa Walta realizoi për ta barazuar rezultatin në 1-1.
Në këtë aksion, Sherri nuk reagoi në mënyrën më të mirë ndaj goditjes së finlandezit, duke bërë që Shqipëria ta humbë avantazhin e hershëm.