Pas një fillimi të jashtëzakonshëm të sezonit, pushimi i ndeshjeve ndërkombëtare u ka dhënë drejtuesve të Barcelonës mundësinë të ulen dhe të planifikojnë rrugëtimin përpara.
Klubi ka vendosur se do të jetë thelbësore të sigurojë të ardhmen e yjeve aktualë, në vend që të fokusohet në transferimin e lojtarëve të rinj në afatin kalimtar të janarit.
Duke pasur parasysh këtë, tifozët së shpejti mund të presin që klubi të zyrtarizojë një sërë rinovimesh të kontratave, ngjashëm me verën e kaluar.
Sipas Fabrizio Romanos, Barcelona i ka të gjitha në vend për t’i vazhduar kontratat e tre lojtarëve kryesorë, Raphinhas, Marc Bernal dhe Xavi Espart.
Treshja përfaqëson të tashmen dhe të ardhmen e klubit, ndërsa sigurimi i qëndrimit të tyre afatgjatë është bërë një prioritet i qartë për drejtuesit.
Raphinha, në veçanti, po kalon formën më të mirë të karrierës së tij këtë sezon, duke shënuar 14 gola në të gjitha garat, ndërsa po shkëlqen si kapiten dhe si nëntë fals.
Sigurimi i brazilianit me një kontratë të re është një hap logjik, veçanërisht pasi sulmuesi ka vendosur të emërojë një agjent të ri në prag të rinovimit të kontratës.
Ndërkohë, Bernal është një nga talentet më të mëdha të akademisë La Masia, ndërsa Espart ka pasur një fillim shpërthyes të sezonit, duke u konsoliduar në ekipin e Hansi Flickut falë shkathtësisë dhe qetësisë së tij.
Është e qartë se Barcelona ka besim të madh te lojtarët aktualë, me klubin që po bën përparim edhe në marrëveshjen për Bernalin.
Megjithatë, Barcelona duhet të veprojë me kujdes duke pasur parasysh situatën e saj financiare.
Klubi tashmë po përballet me një rritje të faturës së pagave dhe çdo kontratë e re, veçanërisht përmirësimi i kushteve për një lojtar të rëndësisë së Raphinhas, do të duhet të menaxhohet brenda kufizimeve të “Fair Play Financiar”.
Megjithatë, sigurimi i qëndrimit të tre figurave të rëndësishme do të përbënte një lëvizje të mençur për Barcelonën.
Me ekipin që po shkëlqen në krye të La Ligës dhe me skuadrën e mbushur me talente të reja, sigurimi i vazhdimësisë është thelbësor./GazetaExpress/