Ermal Krasniqi beson se Kosova ka kualitetin e nevojshëm për ta mposhtur Austrinë në ndeshjen e sontme në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Përballja, e cila nis nga ora 18:00, është e rëndësishme për Kosovën në garën për kreun e Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Krasniqi e ka vlerësuar Austrinë si një kundërshtar të fortë, por ka thënë se “Dardanët” janë përgatitur maksimalisht dhe synojnë rezultat pozitiv.
“Lirisht mund të luftojmë për vendin e parë. E kemi përgatitur në maksimum ndeshjen dhe besoj se nuk do t’i përsërisim gabimet që i bëmë në ndeshjen e parë me Austrinë. Shpresoj se do t’i qasemi më mirë dhe të arrijmë rezultat pozitiv”.
Sulmuesi kosovar ka theksuar se skuadra duhet të jetë më e kujdesshme në fazën defensive dhe të shmangë gabimet e bëra në ndeshjet e kaluara.
“Gabimet që i bëmë në ndeshjet e kaluara duhet t’i përmirësojmë. Kemi kualitet dhe mund ta fitojmë edhe këtë ndeshje. Luajmë në stadiumin tonë, para tifozëve tanë dhe me përkrahjen e tyre mund të fitojmë”.
Krasniqi ka thënë se Austria ishte konsideruar favorite për vendin e parë para fillimit të garës, por beson se Kosova mund ta ndryshojë situatën me një fitore sonte.
“Në fillim të gjithë e kemi thënë se Austria është favorite. Unë besoj te ekipi ynë, sepse kemi kualitet të lartë në grupin tonë. Besoj se mund ta arrijmë edhe vendin e parë”.