Luka Modric i ka bërë një homazh të veçantë Lionel Messit pas lamtumirës së yllit argjentinas nga Kombëtarja.
Mesfushori kroat, i cili për vite me radhë e ka pasur Messin kundërshtar si me Kroacinë, ashtu edhe me Real Madridin, nuk i kurseu elozhet për 39-vjeçarin.
“Është për të ardhur keq që po largohet, por ky është vendimi i tij dhe duhet ta respektojmë”, tha Modric në konferencë për shtyp.
Legjenda kroate e vlerësoi në veçanti arritjen më të madhe të Messit me Argjentinën, triumfin në Kupën e Botës.
“Ai ka bërë diçka të madhe me kombëtaren e tij. E ka fituar Botërorin që e dëshironte dhe është një nga lojtarët më të mirë në botë”, shtoi ai.
Modric më pas e pranoi se përballjet me Messin nuk kanë qenë aspak të lehta për të.
“Ka qenë kënaqësi ta shihja duke luajtur, edhe pse kam vuajtur shumë kundër tij, si me Kroacinë ashtu edhe me Real Madridin. Është kënaqësi ta shohësh duke luajtur, sepse është një lojtar unik. I uroj shumë fat”, deklaroi Modric.
Messi e mbylli karrierën me Argjentinën pas 21 vitesh, 208 paraqitjesh dhe 126 golash. Në ndeshjen e fundit, ndaj Beninit, ai e shënoi një gol dhe i dhuroi dy asistime në fitoren 3-0.