Policia e Kosovës ka nisur kontrolle të shtuara në rrugët nacionale dhe rajonale të Rajonit të Prishtinës, me fokus në identifikimin e shoferëve që tejkalojnë kufizimet e shpejtësisë.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrolleve të fundit janë evidentuar raste të rënda të tejkalimit të shpejtësisë, ku në zona me kufizim prej 80 kilometrash në orë, disa automjete janë regjistruar duke lëvizur deri në 197 kilometra në orë, shkruan Insajderi.
Kontrollet po zhvillohen nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, përmes përdorimit të automjeteve inteligjente për identifikimin e kundërvajtjeve në trafik.
Policia ka bërë të ditur se ndaj shoferëve që shkelin rregullat do të zbatohen masa ligjore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Në njoftim, Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe sinjalistikën rrugore, si dhe ta përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës, veçanërisht gjatë natës. /Insajderi.org/